KreuCelebrity

Dua Lipa flet për anën e vështirë të suksesit: “Distanca të ndryshon, por jo dashurinë”

Dua Lipa flet për anën e vështirë të suksesit:
Dua Lipa ka ndarë mendime personale mbi sfidat që sjell jeta mes turneve botërore dhe marrëdhënieve në distancë, duke u kthyer në një zë këshillues për fansat e saj përmes platformës së stilit të jetesës, Service 95.

Artistja 30-vjeçare iu përgjigj një fanseje që kishte emigruar për punë dhe kërkonte këshilla se si të ruante lidhjet me njerëzit e dashur nga larg. Me një turne njëvjeçar si “Radical Optimism” pas shpine, Dua e njeh mirë këtë realitet, pasi për muaj të tërë ka qenë larg të fejuarit të saj, aktorit Callum Turner, dhe familjes në Londër.

“Jam mësuar me këtë ritëm, sidomos gjatë turneve,” u shpreh ajo, duke pranuar se me kalimin e kohës bëhet më e përballueshme, por kurrë plotësisht e lehtë. Sipas saj, dhimbja nuk lidhet vetëm me momentet e mëdha që humbet, por edhe me mungesën e përditshmërisë dhe çasteve të vogla që ndërtojnë afërsinë.

Megjithatë, këngëtarja mbajti një qëndrim optimist: “Distanca mund të ndryshojë mënyrën si funksionon një marrëdhënie, por jo ndjenjat. Ndonjëherë, mungesa e bën dashurinë edhe më të fortë.”

Dua foli edhe për temën e ndarjeve, pasi mori një mesazh nga një fanse që shqetësohej për motrën e saj pas përfundimit të një lidhjeje. Duke reflektuar mbi përvojat e saj të kaluara, përfshirë marrëdhëniet me Anwar Hadid dhe Isaac Carew, ajo theksoi se ndarjet janë gjithmonë të dhimbshme.

“Nuk ka formula magjike për ta kaluar një ndarje,” u shpreh ajo. “Ndonjëherë nuk duhet të përpiqesh ta rregullosh situatën me fjalë motivuese. Mjafton të jesh pranë, të dëgjosh dhe të lejosh personin të ndjejë atë që po kalon. Dhimbja ka nevojë për hapësirë.”

Dua dhe Callum nisën romancën në janar 2024 dhe e konfirmuan fejesën në qershor, pavarësisht sfidave që solli turneu i gjatë botëror. “Radical Optimism” u mbyll në dhjetor në Mexico City, pas 92 koncerteve në disa kontinente dhe me mbi 112 milionë dollarë të ardhura, sipas raportimeve. Vetëm 44 koncertet e para shitën rreth 960 mijë bileta.

Pas përfundimit të turneut, çifti zgjodhi të relaksohej me një pushim në Meksikë para festave të fundvitit. Së fundmi, Callum Turner ka folur publikisht për lidhjen e tyre, duke e quajtur Dua-n “gruan më të bukur në botë” dhe duke treguar se historia e tyre nisi pas disa takimeve të humbura, derisa më në fund u bashkuan në festën e ditëlindjes së një miku të përbashkët.

Mes suksesit global dhe angazhimeve të shumta, Dua Lipa duket se ka gjetur një ekuilibër mes karrierës dhe ndjenjave, duke pranuar se sakrificat janë pjesë e rrugëtimit, por jo fundi i dashurisë.