Shpërthimi i fundit publik i konfliktit mes Brooklyn Beckham dhe prindërve të tij, David dhe Victoria Beckham, ka rikthyer në qendër të vëmendjes Nicola Peltz, aktoren dhe modelen amerikane, si dhe bashkëshorten e djalit të madh të familjes. Sipas Brooklyn-it, roli i saj në këtë histori është thelbësor: ai e konsideron atë si pikën e fundit që çoi në një përçarje familjare që, sipas tij, tashmë është e pakthyeshme.
Nicola Peltz, 31 vjeçe, vjen nga një prej familjeve më të pasura dhe me ndikim në Shtetet e Bashkuara. Ajo është vajza e miliarderit Nelson Peltz, investitor dhe drejtues i rëndësishëm korporatash, dhe ish-modeles Claudia Heffner. Përpara lidhjes me Brooklyn Beckham, Nicola kishte ndërtuar tashmë një karrierë në Hollywood, me role në filma si Transformers: Age of Extinction, dhe ishte një figurë e njohur në tapetet e kuq dhe eventet e modës.
Megjithatë, marrëdhënia e saj me familjen Beckham nuk ka qenë kurrë plotësisht harmonike. Që prej dasmës me Brooklyn-in në vitin 2022, nisën të qarkullojnë thashetheme për tensione, veçanërisht me Victoria Beckham. Episodi i parë i bujshëm lidhej me fustanin e nusërisë: fillimisht ishte paralajmëruar se do të dizajnohej nga Victoria, por në fund Nicola zgjodhi një stilist tjetër. Ky vendim nxiti spekulime për një përplasje mes nuses dhe vjehrrës, e cila me kalimin e kohës u duk se ishte shumë më e thellë sesa mendohej.
Në deklaratën e tij të fundit publike, Brooklyn Beckham ka dalë hapur në mbrojtje të bashkëshortes dhe ka akuzuar drejtpërdrejt prindërit e tij për mënyrën se si, sipas tij, e kanë trajtuar Nicolën. Ai pretendon se ata u përpoqën të sabotonin marrëdhënien para dasmës, vunë në dyshim rolin e saj në familje dhe e bënë të ndihej si e padëshiruar.
Një nga episodet më të rënda, sipas Brooklyn-it, ndodhi gjatë dasmës. Ai rrëfen se Victoria Beckham ndërpreu vallëzimin e parë të planifikuar mes tij dhe Nicolës, duke kërcyer me të birin përpara të ftuarve, në një situatë që ai e përshkruan si poshtëruese dhe të papërshtatshme.
Për më tepër, Brooklyn pretendon se prindërit e tij ushtruan presion që ai të hiqte dorë nga disa të drejta të lidhura me mbiemrin Beckham para martesës, gjë që ai e interpretoi si një përpjekje për të mbrojtur markën familjare mbi jetën e tij personale. Në këndvështrimin e tij, Nicola u perceptua si një kërcënim për kontrollin që familja ushtronte mbi imazhin dhe narrativën e saj publike.

