Reperja amerikane Cardi B përjetoi një moment të sikletshëm gjatë koncertit të saj në Las Vegas, kur u rrëzua nga një karrige në mes të performancës, por e ktheu menjëherë situatën në humor duke hedhur edhe një tjetër “thumb” politik.
Gjatë ndalesës së turit të saj “Little Miss Drama Tour” në Las Vegas, 33-vjeçarja ishte ulur në pjesën e pasme të një karrigeje, ndërsa performonte në mënyrë provokuese. Në momentin që u përkul mbrapa, karrigia rrëshqiti dhe ajo përfundoi në dysheme.
Cardi reagoi me sportivitet, duke qeshur dhe duke tentuar ta përfshijë rrëzimin në koreografi. Sapo u ngrit në këmbë, ajo tha me shaka: “Nuk isha unë, ishte qeveria.”
Ky nuk është rasti i parë që artistja përfshihet në deklarata politike. Më herët këtë muaj, gjatë një koncerti në Acrisure Arena, ajo kritikoi ashpër U.S. Immigration and Customs Enforcement (ICE), duke u shprehur në mbrojtje të emigrantëve.
Komentet e saj nxitën reagim nga U.S. Department of Homeland Security, i cili iu referua deklaratave të saj të së kaluarës lidhur me pranimin se kishte droguar dhe grabitur klientë gjatë kohës kur punonte si balerinë ekzotike.
Cardi B reagoi sërish në rrjetet sociale, duke përmendur dosjet e të ndjerit Jeffrey Epstein dhe duke akuzuar autoritetet se shmangin temat e ndjeshme.
Debati në rrjet shpërtheu, me ndjekës që u ndanë mes mbështetjes për qëndrimin e saj të hapur dhe kritikave për tonin e përdorur. Ndërkohë, një valë artistësh të njohur përfshirë Billie Eilish, Bad Bunny dhe Lorde kanë shprehur publikisht qëndrime kundër ICE, duke e kthyer skenën muzikore në një platformë proteste.
Pavarësisht incidentit në skenë, Cardi B vazhdon turneun e saj, duke treguar se edhe momentet e papritura mund të shndërrohen në spektakël.
