KreuCelebrity

Lori & Olti, një puzzle dashurie

Nga Brunilda Gorovelli

Prej më shumë se një dekade, ata kanë ndërtuar një lidhje ku dashuria, respekti dhe familja ecin krah për krah. Mes artit, prindërimit dhe jetës reale, Olti Kazaferi dhe Lori Bala tregojnë se dashuria e vërtetë nuk është vetëm ndjenjë, por zgjedhje e përditshme.

Jeni bashkë prej më shumë se një dekade. Çfarë mendoni se ju ka mbajtur të lidhur ndër vite, përtej dashurisë?

OLTI: Mendoj që jemi dy njerëz, ndoshta si shumë të tjerë, që e duam familjen dhe dashurinë për ta rritur dhe për ta bërë më të bukur deri në fund të jetës.

LORI: Padiskutim na ka mbajtur dashuria që është rritur bashkë me ne, respekti dhe zgjedhja e përditshme për të mos u larguar asnjëherë nga njëri-tjetri edhe në çaste të vështira.

Si ju ka ndryshuar koha individualisht dhe si çift?

OLTI: Mendoj që, që në momentin kur njeriu zgjedh të jetojë në çift dhe të krijojë një familje, ai rritet bashkë me të dhe formohet edhe më shumë. Kështu që Lori luan rolin më të rëndësishëm në këtë ndryshim timin, sigurisht për mirë. Koha na ka bërë më të pjekur individualisht dhe na ka forcuar më shumë si çift për të ecur gjithmonë krah njeri-tjetrit.

A mendoni se koha ju ka bërë më të ngjashëm apo më të ndryshëm?

OLTI: Në këtë pjesë nuk di ta them saktë nëse jemi bërë më të ngjashëm apo jo. Por di që kemi arritur në pikën që e njohim shumë mirë njëri-tjetrin dhe përshtatemi lehtësisht.

LORI: Na ka bërë më të ngjashëm në ndjenja, në shpirt edhe pse secili ka dëshirat dhe ngjyrat e veta.

Çfarë keni mësuar për veten tuaj falë kësaj lidhjeje?

OLTI: Që, si çdo njeri, kemi gabime dhe të meta; thjesht lidhja e duhur të përmirëson dhe të bën më të mirë.

LORI: Kam mësuar se dashuria e vërtetë kërkon durim, sakrificë dhe sinqeritet.

Kur lindin mosmarrëveshje, kush është më reflektiv dhe kush më impulsiv?

OLTI: Që jam impulsiv, këtë e di shumë mirë. Ndoshta edhe Lori mund të jetë, por vjen një pikë që mosmarrëveshjet thjesht sqarohen dhe mbyllen aty — nga unë apo nga Lori, kushdo që është më tolerant në atë moment.

LORI: Zakonisht unë jam më impulsive ndaj gjërave që na mërzisin! Olti është ai që reflekton më gjatë për të balancuar situatën. Unë ndjej shpejt, Olti mendon gjatë (qesh)!

Kush flet i pari kur ka një keqkuptim?

OLTI: Varet nga rasti. Siç thashë, kush ndihet më tolerant në atë moment — edhe pse unë jam pak më kokëfortë (qesh).

LORI: Unë e urrej të mbaj gjatë mëri me njerëzit që dua. Më duket humbje kohe. Kështu që unë flas e para, edhe nëse e ka fajin Olti (qesh).

Lori & Olti, një puzzle dashurie

Si e ka ndryshuar ardhja e vajzës suaj jetën dhe raportin tuaj si çift?

OLTI: Ajo shprehja tiranase që thotë: “Kush ka vajza, botën ka”. Kështu ndihemi edhe ne. Elois na bën të duam njëri-tjetrin edhe më shumë dhe familjen ta kemi gjënë më të shtrenjtë.

Çfarë është gjëja më e bukur që keni zbuluar te njëri-tjetri në rolin e prindit?

OLTI: Që Lori është një mama super e kujdesshme dhe me rregulla ndaj Elois, dhe kjo më bën mua të jem ai më tolerant (qesh).

LORI: Unë kam zbuluar se Olti është njeriu më i bukur që njoh!

A jeni prindër striktë apo më shumë shokë me vajzën?

OLTI: Kur duhet, jemi edhe striktë, por Lori më shumë, siç e thashë edhe më sipër. Në fund të fundit, duhet edhe pak kështu!

LORI: Unë jam shumë strikte, kurse Oltin e merrni vetë me mend (qesh).

Cilat vlera janë më të rëndësishme për ju t’ia transmetoni asaj?

OLTI: Respektin për njerëzit, ndershmërinë, dashurinë për familjen dhe për punën, si edhe të jetë gjithmonë vetvetja.

A ka diçka që vajza juaj ju ka mësuar, pa e kuptuar?

OLTI: Na ka mësuar durimin, të shijojmë momentet e vogla dhe të kuptojmë se gjërat më të rëndësishme në jetë janë edhe më të thjeshtat.

LORI: Po na ka mësuar të shijojmë gjithmonë njëri-tjetrin, ta shohim botën me sy më të ndjeshëm dhe të jemi frymëzim për të!

Lori & Olti, një puzzle dashurie

Lori & Olti, një puzzle dashurie

Të dy vini nga botë artistike, por role të ndryshme. Si ndikojnë profesionet tuaja te njëri-tjetri?

OLTI: Të them të drejtën, nuk na afekton shumë. Secili respekton punën e tjetrit. Ka periudha më të ngarkuara, por mundohemi të jemi mirëkuptues.

A ka pasur momente kur puna ka “hyrë” në jetën private dhe anasjelltas?

Eh, do s’do, ndikon nga pak. Unë jam ai që s’kam orare dhe limite në punë, dhe kjo herë pas here afekton familjen. Por në fund, kjo është ajo që kemi zgjedhur. Ka shumë të mira, por vjen edhe me sakrifica.

LORI: Po patjetër, po dashuria ka qenë gjithmonë më e fortë!

A jeni kritikë ndaj punës së njëri-tjetrit apo preferoni të jeni thjesht mbështetës?

OLTI: Lori është më kritike ndaj meje, por më shërbejnë për mirë. Unë ndaj saj jo shumë, sepse ajo ka arritur nivelin e vet dhe, po të dua, s’jam aq profesionist sa ta kritikoj — thjesht e mbështes.

LORI: Unë preferoj të jemi mbështetës dhe kritikë të njëri-tjetrit ndaj punëve që ne bëjmë! Gjithmonë me ndershmëri dhe dashuri.

Në jetën tuaj të përditshme, kush është më organizatori dhe kush më spontan?

OLTI: Lori do çdo gjë me plan. Unë jam ndonjëherë spontan. Boll e vras mendjen për të bërë plane në fusha të tjera.

LORI: Unë jam tip shumë organizues kudo! Më shqetëson fakti të nis ditën pa një plan.

Kush merr zakonisht vendimet e rëndësishme në familje?

OLTI: Pyetje e vështirë… Besoj që në fund vendosim të dy, si çdo çift, edhe pse unë jam ai që mendohem shumë gjatë dhe marr kohën time.

LORI: Mundohemi që vendimet e rëndësishme t’i marrim bashkë si një ekip!

Mendoni se arti ju ka ndihmuar të komunikoni më mirë si çift?

OLTI: Mendoj që patjetër jeta që kemi zgjedhur dhe formimi ynë profesional kanë ndikuar për mirë, por në fund janë edhe karakteret tona dhe mënyra si jemi rritur në familjet tona. Është një ndihmë shumë e madhe për ta kuptuar njëri-tjetrin edhe kur heshtim.

Në publik dhe në privat, a ndryshojnë rolet tuaja si çift?

OLTI: Jo, nuk besoj. Jemi njësoj. Nuk bëjmë shumë “aktrime”.

LORI: Jo fare, ajo që na bën të vërtetë është dashuria që kemi pa role të shtirura!

Çfarë do t’i thoshit versionit tuaj të para 10 viteve më parë?

OLTI: Asgjë. Të bënte të njëjtën gjë që ka bërë për të ardhur këtu ku jemi sot.

LORI: Të guxoja më shumë e ta jetoja jetën me të gjitha ngjyrat e saj!

Si e imagjinoni veten pas edhe 10 viteve të tjera bashkë?

OLTI: Mendoj që do të jemi sërish bashkë, duke u kujdesur për familjen tonë dhe duke shijuar çdo moment që na jep jeta — me sa më shumë të mira dhe sa më pak sfida, dashtë Zoti.

Nëse marrëdhënia juaj do të ishte një kapitull libri, si do ta titullonit?

OLTI: Për këto nuk jam shumë i fortë… Lori është më romantike dhe besoj se do të kishte zgjedhur titullin e duhur. Kështu që po ia lë asaj.

LORI: Një puzzle dashurie!

Çfarë do të thotë sot dashuria për ju, pas gjithë këtyre viteve?

OLTI: Sot, pas gjithë këtyre viteve, dashuria do të thotë qetësi dhe përgjegjësi, jo thjesht një emocion i fortë. Respekt, edhe kur nuk je dakord, dhe kujdes i përditshëm për njëri-tjetrin.

LORI: Dashuri është shtëpi, familje dhe mirënjohje për gjithë rrugëtimin e përbashkët.

Lori & Olti, një puzzle dashurie

Lori & Olti, një puzzle dashurie