Një zhvillim i papritur ka tronditur mediat turke dhe fansat e serialit të njohur “Kızılcık Şerbeti” i cili transmetohet dhe në Shqipëri me titullin "Një dashuri". Aktori i njohur i ri Doğukan Güngör, i cili luante rolin e Fatih, është larguar nga seriali pas konfirmimit të rezultateve të testit të drogës nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Sipas raportimeve, në hetimin e kryer nga Prokuroria e Kryeqytetit të Stambollit, 19 persona u testuan për substanca të ndaluara, dhe 14 prej tyre, përfshirë Doğukan Güngör, rezultuan pozitiv. Të tjerë të përfshirë që dolën pozitivë janë këngëtarja Ceyda Ersoy, Gözde Anuk dhe Lerna Elmas. Pas konfirmimit të rezultateve, drejtuesit e televizionit Show Tv dhe ekipi i produksionit të serialit vendosën të përjashtojnë aktorin nga seriali, duke i ndërprerë kontratën njëanshmërisht.
Në një deklaratë të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, aktori shprehu keqardhjen dhe pakënaqësinë e tij për mënyrën se si u trajtua e gjithë situata duke u shprehur kështu:
“Kjo është një periudhë shumë e vështirë për mua. Kam pranuar gabimin tim dhe kam bërë të gjitha shpjegimet e nevojshme për Prokurorinë dhe publikun. Tani po ndërmarr hapat e parë për një jetë të pastër. Por kam parë se disa institucione mund të jenë shumë të pamëshirshme. Besoj se çdo njeri meriton një shans të dytë, dhe i lë ata që më gjykuan tek ndërgjegjja e tyre dhe tek Zoti.”
Güngör gjithashtu siguroi fansat e tij se nuk dorëzohet dhe se do të kthehet me projekte më të mira:
“Do të rikthehem. Qëndroj krenar dhe i vendosur për të nisur një fillim të ri.”

Doğukan Güngör, një nga aktorët e rinj më të shquar në Turqi, fitoi famë me performancën e tij në “Kızılcık Şerbeti”. Largimi i tij ka nxitur shumë spekulime mbi të ardhmen e karrierës së tij.
