KreuCelebrity

"Loja e fundit", Luiz Ejlli dëmtohet gjatë xhirimeve: "Ka marrë një të çarë në krah"!

"Loja e fundit", Luiz Ejlli dëmtohet gjatë xhirimeve:

Në një intervistë të fundit për emisionin “Më prit të dielën”, regjisori Bjordi Mezini ka zbuluar detaje nga dy projektet e tij më të reja kinematografike, njëri prej të cilëve realizohet në bashkëpunim me çiftin e njohur Luiz Ejlli dhe Kiara Tito.

Mezini tregoi se, përveç aktrimit, Luizi do të shfaqë edhe talentin e tij muzikor gjatë filmit, duke qenë se këndimi është një nga pikat e tij më të forta.
“Luizi këndon në disa momente të filmit. Do të ishte e pakuptimtë të mos e shfrytëzonim këtë aftësi, pasi është gjëja që ai bën më së miri”, u shpreh regjisori.

Edhe pse u tregua i rezervuar për të mos zbuluar detaje nga fabula, Bjordi Mezini ndau disa prapaskena nga xhirimet, duke treguar se energjia e pashtershme e Luizit i ka sjellë atij edhe disa dëmtime fizike.
“Luizi është si fëmijët që vrapojnë pa pushim nga njëra anë në tjetrën. Ka pasur disa skena me pengesa, ku është rrëzuar dhe ka pësuar një çarje të thellë në krah. Për rreth një javë pati vështirësi, madje edhe për t’u veshur. Nuk ankohej, por duhej të ishim gjithmonë pranë tij”, tregoi Mezini.

I pyetur nëse përfshirja e Luizit dhe Kiarës në këtë projekt do të ndikojë në imazhin pozitiv që publiku ka për ta, regjisori u shpreh i bindur se kjo nuk do të ndodhë. Sipas tij, çifti ka punuar me përkushtim maksimal, ditë e natë, për të sjellë një film cilësor dhe me vlera, duke marrë parasysh edhe kushtet në të cilat realizohet kinematografia shqiptare.

Në fund, Bjordi Mezini foli edhe për marrëdhënien profesionale me aktoren e njohur Anna Lika. Edhe pse tashmë janë prindër të një vajze, regjisori nuk nguroi të tregojë me sinqeritet se puna me Annën në shesh xhirimi mund të jetë e lodhshme.
“Anna ka një metodë pune që më çmend. Para çdo skene është shumë e vështirë dhe kërkon pak ‘llasto’. Nga fundi i projektit, ndonjëherë mezi e përballoj. Madje, edhe sot më thotë pse nuk e kam marrë në filmin e parë, por atëherë ishte shtatzënë, si mund ta merrja?”, u shpreh ai, duke shtuar se kohët e fundit kanë pasur disa diskutime për këtë çështje.