Shën Valentini është një nga festat më të veçanta të vitit, e njohur si dita e të dashuruarve, por jo domosdoshmërisht e kufizuar vetëm për çiftet. Kjo ditë shpesh shoqërohet me më shumë romantizëm, surpriza dhe aktivitete kulturore, duke krijuar hapësirë për forma të ndryshme festimi.
Pikërisht në këtë ditë të veçantë, publiku në Tiranë do të ketë mundësinë të ndjekë një interpretim special të një prej dramave më të njohura të Uilliam Shekspirit, “Romeo & Juliet”.
Më 14 shkurt, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, do të vihet në skenë shfaqja “Romeo & Juliet on Ice”, një produksion i Angel on Ice, e njohur për shfaqjet e saj që ndërthurin baletin klasik me patinazhin artistik mbi akull. Ky interpretim sjell një qasje ndryshe të tragjedisë së Shekspirit, duke kombinuar elementë të teatrit, muzikës dhe koreografisë mbi akull.

Shfaqja realizohet nga një kast ndërkombëtar artistësh dhe një koncept skenik i pazakontë për publikun shqiptar. Ngjarja organizohet nga RedCloud dhe pritet të tërheqë interesin e artdashësve dhe të atyre që zgjedhin ta festojnë Shën Valentinin përmes artit dhe kulturës.
Nxitoni të rezervoni biletat tuaja për shfaqjen të cilat i gjeni të disponueshme online përmes platformës vivere.al.
