KreuCelebrity

Zbutja e kryeneçit, Simon Cowell!

Një mbrëmje dhjetori me shi, Simon Cowell është ulur në dhomën e tij të ndenjes pranë një oxhaku, duke thithur një cigare elektronike me aromë mentoli dhe mojito. Legjenda e talent show-ve është rikthyer në qendër të vëmendjes me serialin e ri të Netflix-it, “Simon Cowell: The Next Act”. Gjyqtari i famshëm për ashpërsinë e tij në “American Idol” dhe “X Factor”, tani shfaqet më i zbutur. Një faktor është mosha (ai tani është 66 vjeç) dhe së fundmi vdekja e Liam Payne-it, të cilin e zbuloi në “X Factor” me grupin One Direction. Protagonist në një shfaqje talentesh për 25 vjet, manjati i muzikës e filloi karrierën në Britani me publikimin e këngëve televizive si "Teletubbies" dhe "Power Rangers" në vitet 1980 dhe më pas suksesi erdhi me produksione si: "Idol", "X Factor", "Britain's Got Talent", "America's Got Talent". Cowell tani po mendon për trashëgiminë e vet. Seriali i Netflix-it tregon Cowell-in jo vetëm si një zbulues talentesh, por edhe disa detaje për jetën dhe manitë si mosha apo fakti që ende nuk ka një telefon celular. 

Sot ka shumë pak grupe muzikore djemsh në top lista, pse po ndodh kjo? 

Sepse duhet shumë kohë, përpjekje dhe punë për t'i bërë njerëzit të dalin nga dhomat e gjumit dhe të vendosin të jenë një grup muzikor. Sepse shumica e njerëzve duan të jenë artistë solo. Të gjesh njerëz të zakonshëm, që e kuptojnë se të qenit grup është vendi më i mirë për të filluar karrierën, sot është stresuese. 

A mendoni se gratë janë më dominuese në muzikë aktualisht? 

Mendoj se gjithçka është ciklike. Kujtoj Madonnën, Britney Spears dhe të gjithë atë periudhë … Gjatë viteve nëntëdhjetë, pati një shpërthim të madh të grupeve me djem, ku të fundit ishin One Direction, por edhe për ata ishte e vështirë. Mendoj që duhen nxitur djemtë ta provojnë, ndoshta funksionon. 

Ju e formuat One Direction nga një grup fëmijësh në një bandë të suksesshme, çfarë mbani mend? 

Më kujtohet Liam, që kishte marrë pjesë në audicion kur ishte 15 vjeç. Ai shkoi shumë pranë finales, madje mbaj mend që më duhej t'i thoja: "Nuk është koha jote, por, kam diçka që më pëlqen shumë te ti. A do të kthehesh përsëri?". Ai u kthye dy vjet më vonë dhe ia doli duke u bërë pjesë One Direction. 

Gjatë serialit, mësoni për vdekjen e Liam Payne, si u ndjeve? 

U shokova kur e dëgjova lajmin. Është shumë e vështirë të shprehësh me fjalë tronditjen. Ishte shumë e tmerrshme, sikur të humbisja një anëtar të familjes. Ishte shumë e dhimbshme. 

Ka patur shumë raportime se anëtarët e One Direction-it përdornin drogë dhe alkool, a e dinit për këtë atë kohë? 

Kishte gjëra për të cilat nuk do të kisha folur kurrë atëherë, por unë kam bërë me ta biseda private dhe u jepja shpesh këshilla, sepse i njihja problemet që vijnë me famën. Roli im ishte t'i siguroja atyre ekipin e duhur të prodhimit dhe menaxherët që të garantojnë suksesin. Asokohe menaxhonim rreth 20 artistë, derisa një pjesë nisën të largohen nga foleja. 

A kishit folur me ta për shëndetin mendor? 

Unë kam folur për këtë disa herë, sepse vetë kam ndjekur një terapi. Të përpiqesh të kesh sukses është e vështirë dhe karriera është sa e suksesshme dhe e vështirë. Çdo artikull apo koment i keq, ndikon tek aktorët, yjet e reality show-ve, muzikantët. Të gjithë ne jetojmë në një botë ku çdo fjalë është në mikroskop dhe shumë gjëra që thuhen janë lënduese. Unë kam lexuar komente për veten time, që janë vërtet lënduese, ndaj nuk i lexoj më. 

Cili është mësimi që ke nxjerrë pas kësaj? 

Nuk e di se çfarë është më e vështirë: të përpiqesh të jesh i famshëm apo të menaxhosh famën tënde. Të dyja janë po aq të vështira. Jo çdo ditë ka qenë e mrekullueshme, por jam i lumtur që bëra atë që bëra. 

Njerëzit kanë thënë gjëra të këqija për ty gjatë gjithë karrierës tënde, a të dhemb diçka në veçanti? 

Ka njerëz që ëndërrojnë të jenë David Bowie i ardhshëm, por nuk ndodh dhe shpesh ata duan të fajësojnë dikë. Për mua gënjeshtrat janë më të rëndat, sidomos kur njerëzit gënjejnë hapur. Mendoj se gjëja më e rëndësishme në jetë, miqësi dhe në punë, është besnikëria. Kur më tradhtojnë e marr shumë personalisht. 

A je i shqetësuar për moshën? 

Kur je në të 60-at përpiqesh të kuptosh se mosha po ikën dhe sidomos 10 vitet e fundit kam qenë më i fokusuar te shëndeti dhe pamja ime. 

E di që je një adhurues i jetëgjatësisë, a mund të më tregosh për "filtrimin e gjakut"? 

Shkova në një klinikë mirëqenieje në Spanjë dhe i besova një makinerie. Ishte si të shkosh në laboratorin e Frankensteinit. Një pajisje e cila filtron gjakun, plazmën e gjakut, e cila del nga trupi përmes disa tubave. Kjo procedurë zgjat rreth tre orë e gjysmë dhe të largon të gjitha toksinat. Është vërtet e dhimbshme, megjithatë, është e shkëlqyeshme. Jam i sigurt se ka mjaft gjëra të këqija në sistemin tonë të gjakut, kështu që tani jam një besimtar i madh i moshës nga brenda dhe jo si dukesh nga jashtë. Botoksi është i hatashëm, por mendoj se ajo që është brenda ka më shumë rëndësi për mua. 

Si do ta përshkruaje jetën familjare me gruan Lauren dhe djalin Eric? 

Eric më ka nxjerrë nga një spirale shumë e errët pas vdekjes së nënës, sepse kam vuajtur nga depresioni. Kisha arritur një pikë ku jeta dhe karriera ime po shkonte shkëlqyeshëm, por ardhja në jetë e djalit më ndryshoi jetën. 

Duket sikur je zbutur, a është kjo e saktë? 

Jam më i butë tani, ndoshta sepse nuk përfshihem në asgjë. Nuk dua ta ndryshoj këtë që po përjeton tani. Kam më shumë besim në vetvete dhe po jetoj në një lloj flluske, ku nuk ka telefon, nuk lexoj asgjë në internet, as gazeta. Nuk shikoj as TikTok, as Instagram, asgjë. Për këtë arsye jam më i lumtur.