
Udhëtimi në historinë e Prada-s nis në Italinë e fillimit të shekullit të njëzetë, kur një klasë e re urbane, borgjeze, kërkoi të imitonte modelet e stilit të jetës evropiane. Qendra e këtij revolucioni ishte Milano, ku në vitin 1913 Mario Prada, gjyshi i Miuccia-s, hapi dyqanin e parë në Galleria Vittorio Emanuele II. Shpejt u kthyen në furnizuesin zyrtar të shtëpisë mbretërore italiane, duke e lulëzuar markën brenda një periudhe njëzetvjeçare. Pas luftës, falë financimit nga Plani Marshall, marka u kthye në ikonën e modës, duke arritur kulmin në vitet 1960 dhe 1970. Por, Prada u kthye në fenomen nga një takim në vitin 1978 - një bashkim me martesë në vitin 1987, midis Miuccia Prada, trashëgimtares dhe Patrizio Bertelli, një sipërmarrës toskan. Papritur Miuccia, një feministe e viteve 1970, hyri në botën e modës me një ndjeshmëri unike që përcaktoi estetikën e një epoke.
Si lindi përfshirja juaj në identifikimin me markën?
Kur fillova, nuk doja të punoja në modë sepse nuk më tërhiqte. Isha feministe në vitet 1970, pjesë e një rrethi intelektualësh dhe më vinte turp të mendoja për modën. Pasi takova Bertellin, nuk ia bëra më kurrë vetes këtë pyetje. Nëse nuk do ta kisha takuar, ndoshta nuk do ta kisha bërë kurrë këtë punë.
A ishte një proces instiktiv apo një përgjegjësi?
Nuk e kisha planifikuar të krijoja Prada-n. Nuk mora kurrë një vendim të vërtetë, thjesht e gjeta veten duke e bërë.
Si i ruani kaq private raportet me familjen?
Fëmijët e mi zbuluan që unë isha stiliste e famshme kur ishin 12 vjeç, sepse bëja një jetë normale. Unë kam jetën time private, punën time dhe kam një numër njerëzish, të famshëm ose jo, të cilët i ftoj në shtëpi, por nuk dua të fotografohen. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua.
Moda është çështje familjesh, derisa bëhet fjalë për kalimin te brezi i ardhshëm. Ju e keni zgjidhur këtë proces?
Unë dhe burri im besojmë se duhet të mendojmë për të ardhmen në tërësi. Nuk kemi problem të mendojmë për kohën kur do të vdesim, por punojmë për pasojat që do të vijnë pas disa vitesh, ndaj jam e përkushtuar ta lë kompaninë sa më të organizuar dhe me një vizion për të ardhmen. Trashëgimia i kalon djalit tim, i cili po e ndjek vizionin në mënyrë të përsosur, duke shtuar dhe vlerat e vetat.
Si lind një koleksion?
Është pasojë logjike e punës, një temë që evoluon. Rëndësi ka të kuptosh cila ka kuptim në atë moment.
Nga frymëzoheni?
Nga jeta, nga ajo që sheh, dëgjon apo lexon. Gjithmonë mendoj për ndjesinë e modës, të cilën nëse e ke, është shumë mirë; nëse nuk e ke, mund të ndryshosh, sepse është instinkt. Edhe kur isha e vogël, nëse të tjerët vishnin fustane të gjatë, unë doja të shkurtër. Gjithmonë doja të isha e para, t’i bëja gjërat ndryshe.
Elementët kontradiktues janë një konstante në koleksionet e Prada-s, pse?
Nuk e kam kuptuar kurrë plotësisht pse. Është karakteristika ime themelore, gjithashtu pjesë e ADN-së së Prada-s. Nëse ka të kuqe, duhet të ketë dhe të zezë. Nëse është e bukur, duhet të jetë edhe e shëmtuar.

Cila periudhë ju frymëzon më shumë për të krijuar, e tashmja apo e shkuara?
E shkuara, sidomos shekulli i 18-të, por duhet të jesh shumë mendjehapur për ta kuptuar.
A ka një marrëdhënie midis estetikës dhe moralit?
Sigurisht, morali është themelor për të bërë rroba. Në vend që të bësh gjëra që nuk kanë kuptim, bëj diçka që është në interes të njerëzve. Është morale të bësh gjëra që shiten. Unë dizajnoj për një markë që prodhon dhe duhet të shesë. Nëse bën një xhaketë, ajo duhet të përmbajë vizionin tënd, mendimet e tua.
Çfarë nuk do të bëje kurrë?
Nuk do të bëja asgjë për para. Ndershmëria intelektuale është gjëja më e rëndësishme, edhe në gjërat më të vogla. Njerëzit ju besojnë sepse e dinë se po jepni më të mirën tuaj. Kjo është arsyeja pse vishni Prada. Jo sepse e ka veshur një modele ose aktore. Puna ime është mjeti që përdor për të shprehur idetë e mia. Aty vendos gjithçka që di dhe mendoj, jetën time politike dhe intelektuale.
A është Prada pjesë e "industrisë së luksit"?
Kurrë nuk i jam përgjigjur kësaj pyetje. Çfarë do të thotë luks për mua? Fjala është pak vulgare, të jemi të sinqertë. Nëse do të më duhej të zgjidhja një term, preferoj "industri e dobishme".
A mund të zgjedhësh një ose disa krijime që kanë ndikuar në imagjinatën kolektive të Prada-s në vite?
Edhe nëse do ta dija, nuk do të doja ta thoja. Si mund të zgjedhësh një pjesë të jetës tënde, disa janë më të rëndësishme, disa më pak. Është një histori e tërë e cila ka gjëra të mira dhe të këqija, ku njëra pa të tjetrën është e pamundur.

A je ajo gruaja që ke ëndërruar kur ke qenë fëmijë?
Nuk kam patur kurrë një vizion për veten. Gjërat ndodhën, unë i bëra dhe i jetova. Ëndërrova për dashurinë? Po, kjo është e sigurt.
A e gjetët?
Po. U frymëzova nga historia e dashurisë së nënës dhe babait tim, e cila dukej aq legjendare saqë imja nuk e përmbushi kurrë. Standardi i tyre ishte i lartë.
A emocionohesh kur sheh një fustan apo një film?
Shumë më tepër kur shoh një film. Kur shkoj me pushime, mbush valixhet që të vishem bukur, por pastaj nuk e bëj. Moda funksionon kur njerëzit janë me humor të mirë. Është diçka për kohë të lumtura.
A keni menduar ndonjëherë: Nuk mund ta bëj më këtë punë?
Nuk jam shqetësuar kurrë për të ardhmen, edhe kur gjërat nuk kanë shkuar mirë.
Si do ta përkufizonit blerjen e Versace-s?
Është një markë historike e cila shpiku idenë e sistemit të modës, siç e perceptojmë sot me pasarelat, modelet dhe kulturën popullore, me një nivel të pabesueshëm mjeshtërie.
A është moda ende e zhytur në një klishe borgjeze, apo ajo vdiq me shekullin e 20-të?
Moda vjen nga borgjezia dhe ende nuk është çliruar plotësisht nga ajo botë, nuk është çliruar nga stereotipet dhe vizioni i kodifikuar i grave.
Si do ta përkufizoje marrëdhënien e Prada-s me artin?
Arti është më serioz se moda, sepse ka lirinë për të eksploruar lirisht mendimin. Moda është një biznes që duhet të shesë.
-
3 receta të thjeshta me agrumet e stinës!
24 Janar, 11:40 -
Interior, 8 trende për 2026-n!
24 Janar, 11:30


