Bota i ka dhënë sot lamtumirën e fundit stilistit legjendar Valentino Garavani, i cili u nda nga jeta më 19 janar në moshën 93-vjeçare. Funerali u mbajt në Bazilikën e Santa Maria degli Angeli e dei Martiri, ku u mblodhën familjarë, miq, personalitete të modës dhe figura të njohura ndërkombëtare për t’i bërë homazh “perandorit të fundit të modës”.

Arkivoli u prit nën tingujt e Lacrimosa të Mozartit, ndërsa brenda bazilikës mbizotëronin vetëm lule të bardha, simbol i elegancës dhe pastërtisë që karakterizoi jetën dhe veprën e stilistit. Pranë arkivolit ishte vendosur një fotografi bardhë e zi e Valentino Garavanit. Mes kurorave spikati ajo e Sophia Loren, me mbishkrimin prekës: “Sempre nel mio cuore” (“Gjithmonë në zemrën time”), si dhe homazhe nga familja Armani, Lavinia Biagiotti, princat trashëgimtarë të Norvegjisë. Claudia Schiffer zgjodhi një gjest të thjeshtë, por simbolik: një trëndafil të kuq.

Gjatë meshës mortore, don Pietro Guerini theksoi se “bukuria shpëton”, duke kujtuar se Valentino e kishte mbjellë bukurinë në çdo aspekt të jetës dhe veprës së tij.
Momente të forta emocionale u përjetuan edhe nga fjalimi i Vernon Bruce Hoeksema, partneri i fundit i Valentinos, i cili mes lotësh tha: “Nuk po them lamtumirë sot, por faleminderit.” Ndërsa Giancarlo Giammetti, bashkëpunëtori dhe miku i një jete, falënderoi Valentino për mësimin më të madh që u kishte dhënë të gjithëve: kuptimin e vërtetë të bukurisë, duke premtuar se trashëgimia e tij do të vazhdojë përmes fondacionit që mban emrin e stilistit.

Ceremonia u mbyll me Ave Maria të Schubertit dhe një duartrokitje të gjatë e të ndjerë nga të pranishmit. Arkivoli u shoqërua jashtë nën tingujt e këngës Il nostro concerto të Umberto Bindit dhe më pas u dërgua drejt varrezave Flaminio Prima Porta, ku do të prehet përgjithmonë.
Në funeral morën pjesë figura të njohura si Anne Hathaway, Anna Wintour, Donatella Versace, Tom Ford, Pierpaolo Piccioli, Maria Grazia Chiuri, Brunello Cucinelli, si dhe përfaqësues të institucioneve italiane. Pas dy ditësh homazhesh publike, ku rreth 10 mijë persona i dhanë lamtumirën e fundit, Roma përshëndeti një nga figurat më të mëdha të modës botërore.











Valentino Garavani mbetet një ikonë e përjetshme, një artist që e ktheu modën në art dhe la pas një trashëgimi bukurie që “vazhdon të shpëtojë botën”.
