
Ky numër i revistës “Bordo” është ndalur në jetën, shpirtin dhe shtëpinë e zonjës që bëri historinë e Kosovës së pavarur sot. Zonja, e cila qëndroi e hekurt përballë okupatorit serb, duke kërkuar të drejtën e gjithë shqiptarëve të Kosovës, pa iu dridhur aspak qerpiku. Zonja Edita Tahiri hap dyert e jetës së saj personale dhe profesionale, duke na kthyer pas në kapitujt më vendimtarë të historisë së Kosovës dhe të jetës së saj. Me qetësinë e një gruaje që ka kaluar furtuna, me forcën e një lidereje që ka sfiduar okupatorin dhe me elegancën që e ka trashëgim familjar, Tahiri rrëfen një jetë të dedikuar kombit.
Znj. Tahiri, janari shpesh shihet si një faqe e re. Çfarë simbolizon për ju fillimi i vitit?
Shpresë, gëzim dhe mundësi për të realizuar planet e reja, si dhe punët e pambaruara vitin që shkoi.
Cili është premtimi që i bëni vetes çdo fillim viti?
Do të vazhdoj shkrimin e librave që lidhen me veprimtarinë time për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në diplomaci, negociatat paqësore dhe maksimalisht të angazhohem për Kosovën euro-atlantike dhe bashkimin kombëtar, sipas ëndrrës sime që kombi shqiptar të bëhet një lider në Ballkan e më gjerë. Derisa po ju përgjigjem, jam në përfundimin e librit tim për Dialogun e Brukselit për fqinjësi dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa në fillim të 2025 doli libri im për shtetndërtimin ndërkombëtar të Kosovës, shkruaj anglisht zakonisht duke marrë parasysh shkollimin kryesisht në Amerikë, në Universitetin e Harvardit, etj... Një fushë ku nuk po përparoj mirë janë shkrimi i memoareve të mia, çdo fillim viti i premtoj vetes se do t’i kryej, por shkrimet e tilla janë një lidhje emocionale me të kaluarën, sfidat, sukseset por edhe sakrificat sublime të shqiptarëve të Kosovës për ëndrrën e lirisë dhe pavarësisë. Duke shkruar me rrëmbejnë emocionet dhe do një kohë t’i kthehem shkrimit. Forcë më jep fakti se po e jetoj ëndrrën e lirisë së bashku me popullin tim, kjo forcë më bën që të jem aktive për ndryshime pozitive që na duhen për të mirën e Kosovës, zhvillimit, demokracisë, prosperitetit, të tillë që populli ynë të jetojë i lumtur me shpresë. Vitin që shkoi Kosova ishte e bllokuar dhe izoluar ndërkombëtarisht, ishte një vit i mbrapshtë, uroj të mos kthehet kjo fatkeqësi politike.
Si e festuat fundvitin?
E dua festimin e Vitit të Ri në shtëpi në ngrohtësinë familjare, sepse jeta ime ishte kryesisht në udhëtime, diplomacia ime për pavarësi solli frytet e saja por më la larg shtëpisë. Po ashtu në angazhimet e mia politike, si një prej udhëheqësve kryesore të lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës (LDK), që më bëri një themeluese e shtetit të Kosovës për të cilën jam krenare, mirëpo natyrisht nuk kam patur kohë të shijoj shumë gjëra që ofron jeta e përditshme, shoqërore, familjare.
Çfarë nuk mungon asnjëherë në tavolinën tuaj? Ka një pjatë të gatuar gjithmonë nga ju?
Nuk mungon menuja e ushqimit tradicional të Prizrenit, ku kam lindur dhe jetuar deri në shkuarjen në studime në Prishtinë. Gatimin e ka marrë përsipër motra ime, mbase detyrimisht, duke parë që nga unë pak ndihmë merr. Unë jam e njohur për përgatitjen e pjatës së djathërave sipas stilit francez, si dhe kujdesem për verërat më cilësore italiane e franceze dhe konjakun ‘Courvoisier’ patjetër, dhe shampanja; me nga një gotë raki “Loçka”, një brend i ri prodhuar në Kosovë, e fillojmë mbrëmjen e festës së Vitit të Ri.
Nëse do t'i jepnit vitit 2025 vetëm një fjalë që do ta përshkruante, cila do të ishte?
Mbrapshtë.

Ju jetoni me motrën tuaj, vazhdon t’jua bëj kafen e mëngjesit si përherë?
Unë e bëj vet kafen e mëngjesit sepse e dua qetësinë e mëngjesit pa ndërhyrje, motra i bën të gjitha ushqimet, mbase do të ma bënte edhe kafen, por bisedat e mëngjesit më nxjerrin nga rituali im i shkrimeve të mëngjesit..
Po ju çfarë i bëni asaj?
Kafen turke ia bëj motrës diku rreth orës 11:00, kur edhe takohemi në dhomën e ndenjes për biseda e plane ditore.
Cili ka qenë 'sekreti' juaj për të ruajtur elegancën dhe forcën njëkohësisht?
Një lidership me 15 burra dhe një grua për idealet kombëtare për të vendosur paqen dhe lirinë dhe fundin e luftës dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve nuk kishte dallime as diskriminime gjinore, sepse kishim qëllimin e përbashkët për ta mposhtur okupatorin serb. Elegancën e kam të trashëguar nga nëna, forcën të trashëguar nga babai im patriot të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Situata më ‘kritike’ në përballjen me forcat okupatore serbe?
Ndalja nga forcat okupatore serbe në mesnatë dhe arrestimi në burgun e Ferizajt, rrugës në kthim nga udhëtimet e mia diplomatike, nga aeroporti i Shkupit për Prishtinë. Por, nuk jam trembur asnjëherë, përkundrazi jam kacafytur me ta duke kundërshtuar veprimet e tyre. Në një rast tjetër gjatë kontrollimit të pasaportës (në atë kohë ishte pasaportë jugosllave) më pyetën se ku e kam nxjerrë pasaportën, iu thashë në Prizren, ata më provokuan përsëri me pyetje, sepse deshën t’ju them në Ministrinë e Brendshme të Serbisë, por unë ua ktheva përsëri në Prizren, duke ju thënë mos e çoni më tutje ku ju thashë ashtu është, hoqën dorë dhe na lejuan ta vazhdonim rrugën për Prishtinë. Shoferi im, ishte po ashtu i patrembur, u gëzua shumë nga përgjigjja ime, të nesërmen iu kishte treguar gjithë anëtarëve të kryesisë së LDK-së, kur hyra në seli gjithë më pritën me duartrokitje..
Më së shumti ju njohim si politikane e diplomate, por si është Edita përtej kësaj tabloje profesionale dhe publike?
E qetë kryesisht, modeste, shpirt sfidues dhe i aventurave të udhëtimeve personale sepse i kam hobi, në mesin e tyre vizitat në muze, galeritë e arteve, Romë, Paris, Londër, Madrid, Nju-Jork, etj. Kur jam në Broadway patjetër shkoj në musicals, “My Fair Lady” më ka fascinuar. Me miqtë e familjen jam njeri me humor, ndërsa në jetën publike mbaj qëndrim serioz, roli im historik më ka krijuar përgjegjësinë e sjelljes publike.
Herë pas here keni folur në media për vitet e ndërlikuara të historisë së Kosovës, sigurisht edhe për atë që familja juaj ka kaluar. Si e kujton vitin 1980, asokohe ju ishit studente?
Sapo kisha diplomuar në inxhinieri elektronike dhe telekomunikacion, së pari udhëtova në tërë Evropën, derisa fillova të jap mësim shkova në studime Master në Universitetin e Essex-it, Britani, shkrova librin “Elektronika” duke shkruar kalova dhimbjen e humbjes së prindërve, si dhe bëra udhëtimin në vendet Skandinave. Pastaj erdhi okupimi i Kosovës në 1989, unë vura në lëvizje qytetarët e Prizrenit në kundërshtim të okupimit serb, gjë që më bëri një themeluese dhe lidere të lëvizjes gjithëpopullore për liri dhe pavarësi dhe ministre të Jashtme të Kosovës në periudhën e okupimit.
Dhurata më e veçantë që përgatiti nëna juaj që ta merrnit me vete teksa do të vinit për herë të parë në Shqipëri?
Nana ime dashur me mallëngjim të pashuar për Shqipërinë dhe familjen e saj përtej kufirit të mbyllur të cilët asnjëherë nuk i pa, kishte përgatitur jo një dhuratë por disa valixhe për prindërit, 6 dajë dhe 2 teze, më la pafjalë kur më përcolli tek autobusi, i thashë si do t’ja bëj këtyre, por menjëherë dolën nga autobusi kolegët e mi të fakultetit, më thanë secili e merr nga një për ta kaluar kufirin – gëzimin e përlotur të gjyshërve të mi nuk e harroj kurrë, edhe tash kur po shkruaj jam e përlotur vet.
Dollit, diskutimet ishin ato që të bënë përshtypje te dajallarët e tu. Përse? Çfarë kishte ndryshe në dollinë e Prizrenit?
Humori dhe intelektualizmi i dajallarëve më frymëzoi pamasë, ndërsa prisja pesimizëm përjetova dashuri, qëndresë dhe shpresë për një Shqipëri ndryshe, të lirë dhe demokratike.
Përse vendose të tregosh kur u ktheve në Kosovë për Shqipërinë e ëndërruar dhe jo Shqipërinë reale?
Nuk desha ta zhgënjej nanën se mjaft zhgënjime kishte përjetuar në jetë, burgun e babës, burgun jetësor të dajës tim Raif Elezi, e persekutimin e gjithë familjes atje. Por ishte një moment kur i kërkova të ishte e fortë dhe mos t’i tregonte askujt çfarë do të dëgjonte. I tregova Shqipërinë që pashë, ajo nuk ndalej së qari, unë po ashtu me lot rrëfeja, në oborr duke pirë kafe. Në fund i thashë të lutem mos i trego askujt se nuk dua të jem unë që po sjellë lajme të dhimbshme për atdheun tonë të dashur, për të cilin ëndërrojmë çdo ditë për ta parë.

U zhgënjyet kur patë realitetin shqiptar? Nga cila gjë më së shumti?
Shkretërimi i Shqipërisë dhe shqiptarët e ndrydhur, të frikësuar nga hija e vet në publik, ndërsa në shtëpi njerëz të mençurisë e shkollimit me një humor të bukur dhe mikpritje shembullore, tryezat reflektonin begati e bujari, ndryshe nga realiteti i Shqipërisë. Vonë pas rënies së regjimit totalitar të Enver Hoxhës i kisha pyetur si i kishin siguruar ushqimet e pijet për darkat familjare gjatë vizitës sime, i kuptova, më erdhi keq.
A keni ju një peng?
Po, është ëndrra e bashkimit kombëtar – uroj brezat e ri ta realizojnë.
Nëse dikur kishe mall për Shqipërinë, po sot për çfarë keni mall?
Të jetoj në Shqipëri një kohë.
Si ndikoi dënimi me burg i babait në jetën tuaj?
Kur fillova luftën time, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, kur e realizuam dhe krijuam shtetin, jetoj në lumturi që siguruam që kurrë ma të mos ndodh gjenocid ndaj popullit tim shqiptar.
Nëse babai juaj do të ishte sot, cili do të ishte qëndrimi apo komenti i tij për realitetet në Shqipëri dhe Kosovë?
Do të ishte krenar për Kosovën shtet, për Shqipërinë demokratike anëtare e NATO-s dhe veçmas do të ishte i gëzuar për shkollimin e shqiptarëve në universitetet më prestigjioze në botë.
A do të ishin prindërit e tu krenar për çka keni bërë ju për Kosovën?
Besoj po, mbase nuk e kanë pritur nga bija e tyre, më e vogla e familjes, fatkeqësisht nuk ishin gjallë për ta parë Kosovën e lirë.

Viti më i vështirë në jetën dhe familjen tuaj?
Viti 1957 ishte më i vështiri për familjen time, ishte kohë e regjimit shtypës së Rankoviqit madje më e rënda se e Millosheviqit, atëherë kur shqiptarët u dëbuan masivisht nga trojet e tyre etnike, kryesisht në Turqi. Nuk është rastësisht se sot ka më shumë shqiptarë në Turqi se në trojet shqiptare në Ballkan.
Çfarë e ka bërë Editën e sotme ndryshe nga Edita e viteve ’90?
Nga një lidere politike e diplomatike për realizimin e ëndrrës së pavarësisë në një njeri krenar që i shërbeu kombit me mençuri, guxim dhe ndershmëri, që jeton ëndrrën e realizuar në lumturi bashkë me popullin e saj, si dhe ëndrrën e fëmijërisë së realizuar të diplomimit në Universitetin e Harvardit.
A ka patur momente nga karriera juaj ku keni thënë apo ndjerë: ‘Po ky është qëllimi im në jetë!’
Kam thënë çdo herë kur fati personal lidhet me fatin e kombit, i jep kuptim jetës.
A keni një ëndërr që ende nuk keni realizuar?
Të përfundoj shkrimin e memoareve dhe të mos ndalem për bashkimin kombëtar.
Komplimenti që dëgjoni më shpesh për veten?
Nga komentet e miqve në Facebook marrë komplimente të bukura, një ditë vendosa t’i ruaj në laptop. Ja disa prej tyre: Zonja e hekurt e pavarësisë, Mbretëreshë Dardane, E madhja e kombit shqiptar, truri i ndritur, jeni Mbretëresha e Kombit Shqiptar.
Kur largoheni nga angazhimet publike, cilat janë destinacionet që ju frymëzojnë apo zgjidhni të shkoni?
Pushimet verore në Itali, bregdeti Amalfi, Capri, Positano, etj.
Vendi juaj i preferuar në Shqipëri?
Durrësi antik, Durrësi im.
Ish-zëvendëskryeministre, ish-kryenegociatore e Kosovës, një grua e hekurt përballë politikës së egër kombëtare dhe ndërkombëtare. Ju ka kushtuar apo jeni gjenduar mirë përpara ëndrrës së vijuar të prindërve të tu?
Jam e kënaqur që kam ndjekur vizionin, parimet, karakterin dhe integritetin personal, nëse e kam parë që po cenohen kam dhënë dorëheqje, Njihem si vendimmarrëse e vendosur, nuk marrë detyra shtetërore nëse nuk kam pushtet vendimmarrës.

Edita, idealiste ndaj Kosovës, sa jetën ia dedikuat lirisë, ndërkohë e lëkundur në vendimet personale, aq sa krijuan atë që ne i themi fat…
E vërtetë është, në çështje personale nuk kam mundur të vendos, është çështje fati them unë.
Dashurinë personale e keni jetuar vetëm gjatë studimeve apo edhe më vonë ka patur momente kur zemra juaj ka rrahur jo vetëm për Kosovën, por dhe për një djalë?
Po, gjatë studimeve, pastaj erdhi okupimi duke parë shtypjen e popullit zemrën ia dhashë kombit, ia mbajta dorën dhe nuk e lëshoj asnjëherë.
E keni menduar ndonjëherë si do të ishte Edita jo diplomate dhe politikane?
Jo.
Ka kaluar një kohë relativisht e gjatë nga koha e negociatave, a do të ndryshoje diçka dhe çfarë prisni për të ardhmen e Kosovën?
Nëse Kosova do të ketë një udhëheqje të aftë, mendoj se më shpejt vjen integrimi në BE, në NATO.
