KreuCelebrity

“Për të më ndalur, duhet të më qëlloni” Mediaset padit Fabrizio Corona, kërkon që...

“Për të më ndalur, duhet të më

Mediaset ka paraqitur një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Milanos kundër Fabrizio Corona-s për shpifje dhe kërcënime ndaj drejtuesve të kompanisë dhe moderatorëve të programeve të njohura televizive. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, paralelisht, grupi mediatik ka kërkuar nga Drejtoria Antimafia (DDA) marrjen e një mase parandaluese që do t’i ndalonte Coronës përdorimin e rrjeteve sociale, platformave online dhe pajisjeve elektronike, përfshirë telefonin celular.

Kallëzimi vjen pas disa episodeve të emisionit të tij në YouTube, “Falsissimo”, ku Corona ka sulmuar moderatorin Alfonso Signorini, duke bërë akuza shumë të rënda ndaj tij dhe duke përfshirë edhe drejtues të tjerë të Mediaset-it.

Sipas asaj që raporton ANSA, Mediaset ka kërkuar që të zbatohet një masë e parashikuar edhe nga Kodi Antimafia, e cila mund të ndalojë përdorimin, tërësor ose të pjesshëm, të shërbimeve telekomunikative, si dhe posedimin apo përdorimin e pajisjeve të komunikimit.

Reagimi i Corona-s: “Për të më ndalur, duhet të më qëlloni”

Pas publikimit të lajmit për kallëzimin, Fabrizio Corona reagoi në rrjetet sociale me tone shumë të ashpra:
“Është luftë tani. Nuk po negociojmë. Do të them të gjithë të vërtetën. Për të më ndalur, duhet të më qëlloni”, shkroi ai.

Ndërkohë, janë publikuar dy episode të “Falsissimo”, ndërsa një i tretë pritet të transmetohet më 26 janar. Në këto episode, Corona ka folur për atë që ai e quan “sistemi Signorini”, duke aluduar për shantazhe dhe favore seksuale, akuza që Mediaset dhe personat e përmendur i konsiderojnë të pabaza dhe shumë të rënda.

Një deklaratë pas kërkesës së Mediaset ka ardhur nga avokati i Corona-s i cili është shprehur se “Po kërkohet censurë parandaluese”

Avokati i Corona-s, Ivano Chiesa, ka kritikuar ashpër veprimet ligjore të Mediaset-it dhe Signorini-t, duke i cilësuar ato si një përpjekje për censurë parandaluese.

“Jam i tronditur. Në Itali ekziston liria e mendimit dhe e shprehjes, pavarësisht mënyrës se si shprehet. Censura nuk ekziston më që nga viti 1946”, deklaroi ai.

Në një padi civile të paraqitur në gjykatë, avokatët e Alfonso Signorini-t kanë kërkuar ndërhyrje urgjente për heqjen e përmbajtjeve të publikuara dhe për të ndaluar shpërndarjen e materialeve të tjera, të cilat sipas tyre kanë “gravitet të pariparueshëm” dhe dëmtojnë rëndë reputacionin, privatësinë dhe të drejtat personale të moderatorit.

Sipas padisë, Corona ka vazhduar publikimin e përmbajtjeve të konsideruara të paligjshme edhe pas nisjes së hetimeve dhe pavarësisht urdhrave gjyqësorë, duke rrezikuar një përhapje të pakontrollueshme të materialeve në internet.