KreuCelebrity

Vajza dhe dhëndri i Donald Trump vizitojnë Vlorën!

Vajza dhe dhëndri i Donald Trump vizitojnë Vlorën!

Qyteti i Vlorës ka qenë këtë të mërkurë nën masa të shtuara sigurie, pas mbërritjes së vajzës së Presidentit amerikan, Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj, Jared Kushner. Prania e çiftit me profil të lartë ndërkombëtar është shoqëruar me kontroll të rreptë policor dhe monitorim të vazhdueshëm të zonave ku ata kanë qëndruar.

Jared Kushner ka mbërritur i pari në qytetin bregdetar në orët e paradites, ndërsa më vonë atij i është bashkuar edhe Ivanka Trump. Ata janë vendosur në zonën e njohur të Ujit të Ftohtë, një nga pikat më ekskluzive të Vlorës, ku kanë zgjedhur të qëndrojnë në një strukturë luksoze hotelerie.

Burime pranë vizitës bëjnë me dije se udhëtimi i tyre në Shqipëri lidhet me interesa konkrete investimi në sektorin e turizmit, me fokus bregdetin jugor. Në vëmendje janë vendosur ishulli i Sazanit dhe zona e Zvërnecit, të konsideruara si hapësira me potencial të lartë për zhvillim të turizmit elitar.

Në kuadër të këtyre planeve, mësohet se dhjetëra studio arkitekturore, shqiptare dhe të huaja, janë përfshirë në procesin e hartimit të ideve dhe koncepteve zhvillimore. Projektet synojnë krijimin e resorteve dhe strukturave turistike të standardeve të larta ndërkombëtare, duke e pozicionuar jugun e vendit në hartën e destinacioneve luksoze.

Prania e Ivanka Trump dhe Jared Kushner në Vlorë ka tërhequr vëmendje të gjerë mediatike, duke rikthyer në fokus potencialin e qytetit dhe të gjithë bregdetit jugor për investime strategjike në turizëm.