Drama që ka përfshirë familjen Beckham po thellohet edhe më tej, këtë herë me një zë të papritur që ka trazuar edhe më shumë ujërat. Mes përplasjes së hapur mes Brooklyn Beckham dhe prindërve të tij, David dhe Victoria Beckham, ka ndërhyrë publikisht ish-parukieri i Nicola Peltz, duke sjellë një narrativë krejt ndryshe nga ajo që ka qarkulluar deri më tani.
Justin Anderson, i cili ka bashkëpunuar me Nicola Peltz në vitin 2014 gjatë promovimit të filmit “Transformers: Age of Extinction”, ka reaguar në Instagram me deklarata tepër të ashpra. Ai e ka cilësuar aktoren si “një nga njerëzit e famshëm më të këqij” me të cilët ka punuar ndonjëherë, duke e quajtur madje një “mollë të kalbur”. Sipas tij, problemi nuk qëndron te familja Beckham, por te vetë Nicola.
Në një reagim të mëvonshëm, Anderson ka shkuar edhe më larg, duke lënë të kuptohet se kjo martesë ishte e destinuar të sillte përçarje. “E dija që kjo martesë nuk do t’i bënte mirë asaj familjeje,” shkroi ai, duke shtuar se që në fillim kishte ndjerë “energji të keqe”. “Kur dikush nuk është i sjellshëm, kjo gjithmonë del në pah. Nuk mund ta fshehësh,” theksoi ai.
Këto deklarata vijnë vetëm pak ditë pas postimit tronditës të Brooklyn Beckham në rrjetet sociale, ku ai sulmoi hapur prindërit e tij. Në mesazhin e gjatë, Brooklyn i akuzoi David dhe Victoria Beckham për “gënjeshtra të panumërta” dhe për përpjekje të vazhdueshme për të sabotuar martesën e tij me Nicola Peltz. Ai u shpreh qartë se nuk synon pajtim dhe se, për herë të parë, ka vendosur të mbrojë veten dhe familjen që ka krijuar.
Ndërhyrja e ish-parukierit ka hedhur edhe më shumë benzinë mbi zjarrin e një konflikti që tashmë ka dalë jashtë kufijve të një çështjeje familjare. Historia po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një dramë publike, ku zërat, akuzat dhe pozicionimet e forta po shtohen, ndërsa çdo reagim i ri duket se e thellon edhe më shumë përçarjen mes palëve.

