Moderatorja dhe këngëtarja Enxhi Nasufi ka ndarë me ndjekësit e saj emocionin e publikimit të romanit debutues “E fshehta e syve të tu”, duke e cilësuar librin si fryt të një rrugëtimi të gjatë dhe të thellë shpirtëror.
Përmes një postimi në Instagram, ku shfaqet edhe kopertina e romanit, Enxhi shkruan se kjo histori, e pritur prej kohësh, tashmë u përket lexuesve:
“Ka qenë një rrugëtim i gjatë shpirtëror, për të cilin kemi pritur me padurim të materializohet. Historia e romanit ‘E fshehta e syve të tu’ nga sot ju përket ju.”
Autorja shprehet se shumë shpejt do të ndajë detaje të tjera rreth librit, ndërsa fton publikun të ndajë përshtypjet e para pas leximit.View this post on Instagram
Publiku u njoh për herë të parë me këtë projekt gjatë intervistës së këngëtares në “Toptani Podcast” me Ilda Lumanin, ku Enxhi zbuloi se romani trajton konceptin e “twinflames” shpirtrat binjakë ose shpirtrat pasqyrë, një temë pak e eksploruar, por thellësisht transformuese.
Sipas saj, libri nuk është një histori klasike dashurie. Ai rrëfen një takim që shkon përtej ndjenjës romantike, një lidhje që të përball me vetveten, me plagët dhe të vërtetat e tua më të fshehta. Edhe pse i frymëzuar nga një përvojë reale e jetës së saj, romani është ndërtuar si fiction, i përpunuar në mënyrë artistike për t’i dhënë lexuesit hapësirë reflektimi dhe identifikimi.
“E fshehta e syve të tu” shfaq Enxhi Nasufin në një dimension tjetër dhe shënon një kapitull të ri në karrierën e saj artistike.
