Balerini i njohur shqiptar, Kledi Kadiu, ka folur së fundmi për sfidën më të madhe të jetës së tij: gjendjen shëndetësore të djalit të tij, Gabrielit, i cili u përball me një çrregullim serioz vetëm pak ditë pas lindjes.
Gabrieli erdhi në jetë në gusht të vitit 2021 dhe gjithçka dukej normale deri në ditën e 11-të, kur ai u shtrua me urgjencë në spital në gjendje kritike. Sipas Kledit, një virus i rrallë kishte kaluar nga hunda në tru, duke shkaktuar dëmtime të rënda neurologjike.
“Gjithë festa e lindjes u shndërrua në dhimbje. Ishte vetëm 11 ditësh dhe u shtrua në reanimacion me kod të kuq”, rrëfeu balerini, duke shtuar se mjekët e cilësuan rastin si një në 70 mijë.
Pas një periudhe të gjatë trajtimesh dhe përballjesh emocionale, sot Gabrieli ndjek kopshtin dhe përpiqet të bëjë një jetë sa më normale, me ndihmën e vazhdueshme të familjes dhe të një personi që kujdeset posaçërisht për të.
Kledi tregoi se djali i tij ende nuk ecën dhe ka vështirësi në të folur dhe lëvizje, por familja mbetet shpresëplotë falë zhvillimeve të teknologjisë dhe mjekësisë.
“Shpresa është shumë e lartë. Ka lajme të mira jo vetëm për Gabrielin, por për mijëra fëmijë të tjerë”, u shpreh ai.
Balerini theksoi se kjo përvojë e vështirë e ka ndryshuar thellësisht jetën e tij dhe të familjes, duke e bërë dashurinë dhe forcën e tyre edhe më të fortë.
“Prindërit përballojnë gjithçka duke jetuar dhe duke dashur. Dashuria është ajo që mban gjithçka në këmbë”, përfundoi Kledi.

