Një nënë nga Kalifornia, e cila humbi tragjikisht tre fëmijët e saj në një aksident të tmerrshëm automobilistik, ka ndërruar jetë nga një kancer agresiv në tru, gati 20 vjet pas tragjedisë. Lori Coble preku zemrat e amerikanëve në vitin 2007, kur një kamion u përplas me shpejtësi me pjesën e pasme të furgonit të saj, duke i marrë jetën tre fëmijëve: Kyle Christopher, 5 vjeç, Emma Lynn, 4 vjeç, dhe Katie Gene, 2 vjeç.
Lori u bë simbol i qëndresës, teksa ajo dhe bashkëshorti i saj Chris arritën të përballonin traumën e aksidentit dhe, pothuajse një vit pas humbjes së fëmijëve, mirëpritën në jetë trenjakë, falë fertilizimit in vitro. Në vitin 2010, Lori ndau historinë e saj me Oprah, ku tregoi se ardhja në jetë e trenjakëve iu duk si një mrekulli. Ajo tha, mes dhimbjes, se ishte në një rrugëtim drejt faljes së shoferit që kishte shkaktuar aksidentin fatal tre vite më parë.
Ndërkohë që rritej familja, Lori u angazhua edhe si aktiviste për rritjen e sigurisë rrugore. Por në qershor 2025, Chris filloi të kuptonte se diçka nuk shkonte me gruan e tij. Ai i tha revistës People se kishte vënë re se Lori po bëhej gjithnjë e më e pasigurt në lëvizje: përplasej me muret, godiste gishtat e këmbëve dhe shpesh, i binin gotat nga dora.
Brenda një muaji, ai vuri re edhe simptoma të ngjashme me goditjen në tru, pasi “goja e saj filloi t’i varej pak… dhe kjo u bë e pamundur për t’u injoruar”. Pas shtrimit në spital, Lori u diagnostikua me kancer terminal në tru, duke e tronditur sërish familjen, pothuajse 20 vjet pas tragjedisë që u mori jetën tre fëmijëve të tyre të vegjël. “Isha duke shpresuar se kishim mbaruar me fatkeqësitë që te ndryshojne rrënjësisht, ku jeta që njihje, zhduket brenda një çasti,” tha Chris.
Lori ndërroi jetë tani, në moshën 48-vjeçare, vetëm disa javë pasi ishte futur në kujdes paliativ, pas diagnostikimit me glioblastomë të fazës së katërt. Familja e saj e bëri të ditur lajmin përmes rrjeteve sociale, duke shkruar se Lori u rrethua me dashuri e mbeshtetje gjatë gjithë këtij rrugëtimi, ndërsa luftoi me sëmundjen për disa muaj.
