Manjola, shqiptare, dhe Gabor, hungarez, janë një çift ndërkulturor që ka zgjedhur të krijojnë familjen e tyre në Shqipëri. Të martuar prej 18 vitesh dhe së bashku për 21 vite, ata ndajnë në një intervistë ekskluzive për Bordo eksperiencën e tyre të veçantë, duke kombinuar traditat shqiptare dhe hungareze në jetën e përditshme dhe në familjen e tyre.
Gabor: “Gjuhën shqipe e kam mësuar duke dëgjuar njerëzit. Nuk kam ndjekur kurs apo shkollë, ndaj akoma bëj gabime gramatikore. Megjithatë, më pëlqen shumë atmosfera e festave në Shqipëri dhe lidhja që njerëzit kanë me familjen e tyre.”
Çifti tregon se byreku me mollë dhe byreku me mish janë pjesë e pandashme e tryezës së tyre, ndërsa Gabor preferon doboshtorta dhe gulash (gatime tradicionale të vendit të tij), duke kombinuar shijet hungareze dhe shqiptare për familjen e tyre.
Gabor: “Në Shqipëri më ka pëlqyer shumë mënyra se si njerëzit ndihmojnë njëri-tjetrin. Është diçka që nuk e kam parë në ndonjë komb tjetër. Edhe festat, të cilat shpesh mbahen me familjen e zgjeruar, e bëjnë kulturën shumë të ngrohtë.”
Çifti ka gjetur mënyra për të integruar traditat hungareze në jetën e tyre në Shqipëri, si festimi i Krishtlindjes dhe Vitit të Ri me respektin dhe ritualet që u vijnë natyrshëm. Manjola kujton:
“Në natën e Vitit të Ri, familja ngrihet në këmbë për të dëgjuar himnin kombëtar në televizor. Është një lloj nderi dhe rit i bukur që tregon respekt për fillimin e vitit.” tregon Manjola për eksperiencën e festave në Hungari.
Gabor shton se shqipja nuk ka qenë e vështirë për të, pasi është mësuar duke dëgjuar njerëzit në jetën e përditshme:
“Fjala e parë që mësova mund të ketë qenë ‘Mirdita’. Fjalët nuk janë problem, por gramatika është ajo që më ka sfiduar më shumë.”
Sa i përket gatimit, Manjola dhe Gabor kombinojnë traditat e tyre në kuzhinë. Byreku me mollë nuk mungon në tryezën e tyre, ndërsa Gabor gatuan sipas recetave të njohura, duke eksperimentuar pak me shijet për fëmijët. Çifti tregon gjithashtu se fëmijët mezi presin kur Manjola gatuan, për të provuar shije të reja që nuk i hasin diku tjetër.
Një aspekt tjetër interesant është pasioni i tyre për traditat hungareze të kalërimit dhe sporteve të vjetra:
“Hungarezët kanë sporte të vështira dhe të rrezikshme, si gjuajtja me shigjeta mbrapsht mbi kal. Është një trashëgimi që vazhdojnë të praktikojnë edhe sot.”
Intervista e plotë:
