KreuBusull

Ngjyrosën të gjelbërt kanalin e Venecias, i ndalohet hyrja aktivistëve mes tyre dhe Greta Thunberg!

Ngjyrosën të gjelbërt kanalin e Venecias, i ndalohet hyrja

Greta Thunberg ishte ndër dhjetëra aktivistë të klimës që u gjobitën në Itali pasi, së bashku me pjesëtarë të grupit Extinction Rebellion, ngjyrosën Kanalin e Madh në Venecia me ngjyrë të gjelbër gjatë fundjavës, në një protestë me moton “Ndalo ekocidin”.

Thunberg, tridhjetë e gjashtë italianë dhe tre të huaj përfshirë një nga Kolumbia dhe një nga Etiopia morën secili një gjobë prej 150 eurosh dhe u urdhëruan të qëndronin larg Venecias për 48 orë, sipas raportimeve të Venezia Today.

Aktivistët përdorën një ngjyrues të padëmshëm për mjedisin dhe theksuan se qëllimi ishte të tërhiqnin vëmendjen për “efektet masive të kolapsit klimatik”. E ngjashme me këtë protestë, ata kishin ngjyrosur ujëra në lumenj, kanale dhe shatërvane në qytete të tjera italiane, përfshirë Bolonjën, Gjenovën, Milanon, Padovën, Palermon, Parmën, Triesten, Torinon dhe Taranton.

Luka Zaia, guvernatori në largim i rajonit Veneto, kritikoi veprimin në rrjetet sociale, duke e quajtur atë “pa kuptim” dhe duke shtuar se protesta “nuk synon rritjen e ndërgjegjësimit mjedisor, por tërheqjen e vëmendjes për veten.”

Aktivistët thanë se protesta përputhej me ditët e fundit të konferencës së OKB-së për klimën COP30 në Brazil, ku delegatët po përpiqeshin të bien dakord për një angazhim për të ndalur gradualisht përdorimin e karburanteve fosile.

Protesta e fundit e Thunberg dhe aktivistëve ka nxitur debate të forta midis mbështetësve të aksioneve dramatike për klimën dhe kritikëve, të cilët e shohin si një veprim të panevojshëm dhe të rrezikshëm për mjedisin dhe qytetin historik të Venecias.