KreuBusull

“Haja ketchup dhe djathë për të mbijetuar”: rrëfimi rrëqethës i 12-vjeçares që u nxor gjallë pas 32 orësh nën rrënoja në Venezuelë

“Haja ketchup dhe djathë për të mbijetuar”:

Një vajzë 12-vjeçare në Venezuelë ka mbijetuar për 32 orë nën rrënojat e një ndërtese të shembur pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën vendin më 24 qershor.

Fabiana ndodhej në banesën e familjes në Caraballeda, në La Guaira, kur lëkundjet e para filluan ndërsa nëna e saj, Karina Blanco, ishte në punë. Tërmeti i dytë, me magnitudë 7.5, shkatërroi një pjesë të madhe të ndërtesës 10-katëshe, duke e lënë vajzën të bllokuar nën beton dhe rrënoja.

“Pashë mure që po shembeshin dhe mendova se do të vdisja. Askush nuk do të më shpëtojë,” ka rrëfyer Fabiana.

E bllokuar në errësirë dhe pa ndihmë, ajo ka qëndruar e vetëdijshme për orë të tëra, duke gjetur madje një shishe ketchup dhe pak djathë të grirë, të cilat i përdori për të mbajtur forcat.

“Me to qëndrova e vetëdijshme,” tha ajo.

Ndërkohë, nëna e saj përjetonte momente dëshpërimi, duke besuar fillimisht se vajza kishte humbur jetën. Megjithatë, pas disa orësh, një infermiere e bllokuar më parë u shpëtua dhe njoftoi se Fabiana ishte ende gjallë.

Vullnetarët dhe ekipet e shpëtimit nisën kërkimet, por për orë të tëra nuk arritën të dëgjonin zërin e saj. Shpresa u rikthye kur një vullnetar arriti të komunikojë me vajzën përmes rrënojave dhe konfirmoi se ajo ishte gjallë.

Pas një operacioni të vështirë shpëtimi që zgjati gjithë natën, ekipet arritën të hapin një tunel deri tek ajo dhe e nxorën pas 32 orësh.

Fabiana doli nga rrënojat me plagë të lehta dhe një frakturë në këmbën e majtë. Ajo është aktualisht në kujdesin e familjes së saj, ndërsa shumë banorë të tjerë të ndërtesës rezultojnë ende të zhdukur ose të vdekur.

Sipas autoriteteve, mijëra persona kanë humbur jetën nga tërmetet, ndërsa situata në zonat e prekura mbetet e rëndë dhe me ndërtesa të shumta të shkatërruara.

“Është një dhimbje e madhe për të gjithë. Por vajza ime është gjallë,” tha në fund nëna e saj, Karina.

Burimi (BBC)