KreuBusull

Tragjedi në aksin Durrës-Tiranë, autobusi del nga rruga dhe përmbyset: 2 viktima, 15 të plagosur

Tragjedi në aksin Durrës-Tiranë, autobusi del nga rruga dhe
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e kësaj të marte në aksin Durrës-Tiranë, pranë zonës së QTU-së, ku një autobus i linjës Berat-Tiranë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën drejtuesi i autobusit dhe një pasagjer, ndërsa 15 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar drejt Spitalit të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.

Sipas drejtorit të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, katër nga të lënduarit po i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, ndërsa një fëmijë ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dyshimet paraprake janë se shoferi mund të ketë pësuar një infarkt gjatë drejtimit të mjetit, duke humbur kontrollin e autobusit. Megjithatë, shkaqet e sakta të aksidentit do të përcaktohen nga hetimet.

Policia e Shtetit ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe u bën apel të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit për të shmangur aksidente të ngjashme.