KreuBusull

Botërori i surprizave! Gjermania dhe Holanda eliminohet, Maroku dhe Paraguai vazhdojnë ëndrrën për fitore

Botërori i surprizave! Gjermania dhe Holanda eliminohet, Maroku dhe

Botërori 2026 vazhdon të dhurojë surpriza të mëdha. Holanda dhe Gjermania, dy prej favoritëve të turneut, u eliminuan në fazën e 1/16-ave pas humbjeve dramatike me penallti ndaj Marokut dhe Paraguait.

Maroku siguroi kualifikimin pas suksesit 3-2 në serinë e penalltive ndaj Holandës, pasi koha e rregullt dhe shtesa përfunduan në barazim 1-1.

Heroi i mbrëmjes ishte Ismael Saibari, i cili realizoi penalltinë vendimtare, ndërsa portieri Yassine Bounou bëri pritjen vendimtare ndaj goditjes së Crysencio Summerville në raundin e katërt të serisë.

Holanda kishte kaluar në avantazh në minutën e 72-të me Cody Gakpo, i cili shpërtheu në lot pas golit. Sulmuesi holandez dhe partnerja e tij, Noa van der Bij, kanë bërë të ditur së fundmi se humbën fëmijën e tyre të palindur. Megjithatë, Maroku reagoi në minutën e 91-të, kur Issa Diop barazoi me kokë pas një krosimi të Chemsdine Talbi. Në shtesë nuk pati gola dhe gjithçka u vendos nga pika e bardhë.

Një tjetër rezultat befasues erdhi nga përballja mes Paraguait dhe Gjermanisë. Amerikano-jugorët triumfuan 4-3 me penallti, pasi 120 minutat përfunduan në barazim 1-1.

Vendimtar në suksesin e Paraguait ishte portieri Orlando Gill, i cili priti dy penallti në serinë finale, ndërsa Jose Canale realizoi goditjen që vulosi kualifikimin.

Julio Enciso kishte kaluar Paraguain në avantazh në fund të pjesës së parë, ndërsa Kai Havertz barazoi në minutën e 52-të. Gjermania mendoi se kishte gjetur golin e kualifikimit në minutën e 102-të me Jonathan Tah, por VAR anuloi rrjetën për një faull ndaj portierit Gill.

Me këto rezultate, Maroku dhe Paraguai vazhdojnë ëndrrën e tyre në Botërorin 2026, ndërsa Holanda dhe Gjermania i japin lamtumirën turneut shumë më herët nga sa pritej.