
Kombëtarja angleze po vijon përgatitjet në Kansas City për sfidën vendimtare ndaj Panamasë, e vlefshme për kalimin në fazën e 1/16-ve të Kupës së Botës. Nën drejtimin e Thomas Tuchel, skuadra po ndjek një regjim të rreptë disipline, ku çdo detaj është menduar për të mbajtur futbollistët të fokusuar vetëm te objektivi.
Një nga vendimet më të komentuara të trajnerit gjerman lidhet me kontaktet e lojtarëve me familjet. Sipas rregullave të vendosura nga Tuchel, futbollistët lejohen t’i takojnë partneret dhe familjarët vetëm një herë në javë, pas përfundimit të ndeshjeve, ndërsa pjesën tjetër të kohës duhet ta kalojnë të izoluar në grumbullim.
Ky vendim synon të shmangë çdo shpërqendrim, përfshirë edhe vëmendjen mediatike që tradicionalisht kanë marrë bashkëshortet dhe partneret e futbollistëve anglezë, të njohura si WAGs. Ndryshe nga turnetë e kaluar, këtë herë ato do të qëndrojnë larg qendrës së vëmendjes, në përputhje me filozofinë e trajnerit për privatësi dhe përqendrim maksimal.
Ndërkohë, kombëtare të tjera kanë zgjedhur një qasje krejt të ndryshme. Disa federata, si ajo e Curaçaos, u japin lojtarëve mundësinë të qëndrojnë edhe në të njëjtën dhomë me familjet, duke e konsideruar këtë një ndihmë për gjendjen psikologjike të futbollistëve gjatë turneut.
Për Anglinë, megjithatë, rregullat mbeten të pandryshuara. Pas ditës së lejuar me familjen, lojtarët rikthehen menjëherë në kampin stërvitor për të vijuar përgatitjet.
Me objektivin për të fituar Kupën e Botës për herë të parë që prej triumfit historik të vitit 1966, Tuchel duket i vendosur të mos lërë asgjë në dorë të rastësisë.
