KreuBusull

Evropa përballet me temperatura përvëluese, termometri pritet të shkojë deri në 44°C

Evropa përballet me temperatura përvëluese, termometri pritet
Një valë e fuqishme të nxehti ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës, duke detyruar autoritetet në disa vende të marrin masa emergjente për të mbrojtur qytetarët nga temperaturat ekstreme.

Në Francë, fundjava u shënua nga një bilanc tragjik, pasi 13 persona humbën jetën nga mbytja teksa po laheshin në zona të paautorizuara dhe pa mbikëqyrje. Mes viktimave ishte edhe një vajzë 13-vjeçare. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin lumenjtë dhe liqenet e pambrojtura për t’u freskuar.

Situata pritet të përkeqësohet në ditët në vijim. Në Francë, 49 rajone janë vendosur në nivelin më të lartë të alarmit për nxehtësinë, ndërsa sipas Meteo-France, temperaturat mund të arrijnë deri në 43 gradë Celsius në Bordo dhe rreth 39 gradë në Paris.

Nxehtësia ka ndikuar edhe në sistemin arsimor. Rreth 845 shkolla janë mbyllur, ndërsa afro 1.800 të tjera kanë shkurtuar orarin mësimor, duke lejuar nxënësit të largohen më herët.

Edhe Belgjika po përgatitet për temperatura rekord. Instituti Meteorologjik Mbretëror ka paralajmëruar se kjo javë mund të jetë ndër më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë në vend.

Në Spanjë, meteorologët presin temperatura që mund të arrijnë deri në 44 gradë Celsius, me vapë të fortë jo vetëm gjatë ditës, por edhe gjatë natës. Sipas ekspertëve, këto vlera janë 5 deri në 10 gradë më të larta se mesatarja sezonale.

Portugalia po përjeton gjithashtu temperatura të pazakonta për periudhën, me disa zona që po i afrohen rekordeve historike. Ndërkohë, Britania e Madhe është vënë nën paralajmërim për mot ekstrem, pasi termometri mund të kalojë 35 gradë Celsius, duke rrezikuar thyerjen e rekordeve të qershorit.

Temperatura mbi normat e zakonshme janë regjistruar edhe në Republikën Çeke dhe vende të tjera të Evropës Qendrore, ndërsa Ballkani po përballet me kushte të ngjashme, me vapë intensive dhe temperatura të larta në shumicën e vendeve.

Kjo është vala e dytë e të nxehtit që godet kontinentin brenda pak muajsh, pas temperaturave të pazakonta të regjistruara në muajin maj. Shkencëtarët e lidhin përsëritjen e këtyre fenomeneve me ndryshimet klimatike, duke paralajmëruar se episodet e nxehtësisë ekstreme do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive.