
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për gazetaren Nina Verdelli, të publikuar nga Vanity Fair Italia, ku ka folur për protestat kundër projektit të Jared Kushner në ishullin e Sazanit, marrëdhënien me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe qëndrimin e tij ndaj Izraelit.
Duke iu përgjigjur kritikave se qeveria ndryshoi ligjin për mbrojtjen e mjedisit për t’i hapur rrugë investimit të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Sazan dhe bregdetin e Vlorës, Rama tha se ndryshimet janë bërë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
“Ne e kemi përshtatur legjislacionin tonë me standardet evropiane, të cilat parashikojnë nivele të ndryshme mbrojtjeje. Ka zona të paprekshme, si delta e lumit Vjosa, dhe zona ku mund të ndërtohet, gjithmonë duke respektuar parametrat e BE-së”, u shpreh ai.
I pyetur për qëndrimin ndaj qeverisë së Benjamin Netanyahut dhe luftës në Gaza, ku sipas të dhënave të përmendura në intervistë janë vrarë rreth 20 mijë fëmijë palestinezë, Rama deklaroi se Shqipëria nuk mund të ndjekë një politikë përplasëse.
“Pas rënies së regjimit, Shqipëria ishte e izoluar, pa aleatë në Lindje apo Perëndim. Kemi vuajtur shumë dhe tani që kemi marrëdhënie të mira me Izraelin, vendet e Gjirit dhe Turqinë, nuk mund t’i lejojmë vetes një politikë ‘barrikadash’. E konsideroj Hamasin të keqen absolute. A jam dakord me gjithçka që bën e djathta izraelite? Jo. A jam në pozicionin për t’u mbajtur leksione të tjerëve? Jo”, tha kryeministri.
Rama komentoi edhe bashkëpunimin me kryeministren italiane Giorgia Meloni për çështjen e qendrave të emigrantëve, pavarësisht dallimeve ideologjike mes tyre.
“Nuk më duket se ajo është trashëgimtare e Musolinit. Më duket më shumë një trashëgimtare e Pentapartitit dhe nuk besoj se ideologjitë e ndryshme mund të pengojnë bashkëpunimin”, deklaroi ai.
Intervista e realizuar nga Nina Verdelli për Vanity Fair Italia e vendos kryeministrin shqiptar në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, ndërsa në fokus janë protestat për projektin e resortit luksoz të Jared Kushner në ishullin e Sazanit, marrëdhëniet me Italinë dhe qëndrimet e tij në politikën e jashtme.
