Një alarm për një objekt të dyshimtë pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka vënë në lëvizje këtë të premte strukturat e sigurisë, por pas verifikimeve të kryera rezultoi se nuk bëhej fjalë për asnjë rrezik real.
Ngjarja u raportua në Rrugën e Elbasanit, ku një objekt i lënë pranë rrugës ngriti dyshime për shkak të vendndodhjes së tij. Menjëherë në zonë mbërritën forcat e Policisë së Shtetit, njësitë xheniere dhe ekspertët e antieksplozivit, të cilët nisën procedurat standarde të kontrollit.
Sipas informacioneve, objekti që shkaktoi alarmin rezultoi të ishte një kovë e braktisur, pa asnjë lëndë shpërthyese apo material të rrezikshëm në brendësi.
Për disa minuta, zona pranë Ambasadës Amerikane u rrethua nga forcat e rendit, ndërsa qarkullimi i automjeteve u bllokua për të garantuar sigurinë dhe për të lejuar zhvillimin e kontrolleve.
Pas ekzaminimit të plotë nga specialistët, u konfirmua se objekti nuk përbënte asnjë kërcënim për qytetarët apo institucionet përreth. Si pasojë, perimetri i sigurisë u hoq dhe lëvizja në këtë segment rrugor iu rikthye normalitetit.
Autoritetet rikujtojnë qytetarët të raportojnë çdo objekt apo situatë të dyshimtë pranë strukturave të policisë, duke theksuar se çdo njoftim trajtohet me seriozitet maksimal për të garantuar sigurinë publike.
