KreuBusull

200 milionë euro gjobë për Temu! Çfarë zbuloi hetimi sekret i BE-së?

200 milionë euro gjobë për Temu! Çfarë zbuloi hetimi

Bashkimi Evropian ka vendosur një gjobë prej 200 milionë eurosh ndaj platformës kineze të tregtisë online Temu, pasi hetimet zbuluan se në platformë shiteshin produkte të paligjshme dhe të rrezikshme për konsumatorët.

Komisioni Evropian deklaroi se Temu “nuk ka identifikuar, analizuar dhe vlerësuar me kujdes rreziqet sistemike” që lidhen me produktet e shitura në platformë, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve europianë.

Hetimi ndaj kompanisë kishte nisur në tetor të vitit 2024, në kuadër të rregullave të Aktit për Shërbimet Digjitale të BE-së (Digital Services Act), që vendos detyrime të posaçme për platformat shumë të mëdha online.

Sipas raportimeve, një organizatë e pavarur kreu blerje testuese në mënyrë anonime dhe konstatoi se shumë karikues të blerë përmes Temu nuk kalonin testet bazë të sigurisë elektrike. Po ashtu, një numër i konsiderueshëm lodrash për fëmijë rezultuan të rrezikshme, pasi përmbanin nivele të larta kimikatesh të ndaluara ose pjesë të vogla që mund të shkaktonin mbytje tek fëmijët.

Përveç gjobës financiare, Temu duhet të paraqesë deri më 28 gusht një plan veprimi për korrigjimin e problemeve të konstatuara. Komisioni Evropian do të ketë më pas dy muaj kohë për të vlerësuar nëse kompania ka përmbushur detyrimet e saj.

Komisionerja europiane për teknologjinë, Henna Virkkunen, deklaroi se ky vendim synon të dërgojë “një mesazh shumë të fortë” ndaj platformave që nuk respektojnë standardet e sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Nga ana tjetër, Temu reagoi duke kundërshtuar vendimin dhe duke e cilësuar gjobën si joproporcionale. Në një deklaratë, kompania tha se çështja lidhet me situatën e vitit 2024 dhe nuk pasqyron sistemet aktuale të kontrollit të platformës.

“Ne respektojmë nevojën për rregulla të qarta dhe të qëndrueshme, por nuk pajtohemi me vendimin e Komisionit Evropian dhe po shqyrtojmë të gjitha opsionet e mundshme”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Kjo është vetëm gjoba e dytë e vendosur nga Bashkimi Evropian në kuadër të Aktit për Shërbimet Digjitale. Më herët, rrjeti social X i Elon Musk ishte gjobitur me 120 milionë euro.