KreuBusull

“Po vdes” Shqiptarja humb jetën tragjikisht në New York pasi ra në një pusetë të hapur

“Po vdes” Shqiptarja humb jetën tragjikisht në New York

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në New York, ku 56-vjeçarja shqiptare Donike Gocaj humbi jetën pasi ra aksidentalisht në një pusetë të hapur në Midtown Manhattan.

Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 23:20, në kryqëzimin e West 52nd Street me Fifth Avenue. Viktima, e identifikuar nga familjarët si Donike Gocaj kishte parkuar automjetin e saj tip “Mercedes-Benz SUV” dhe sapo kishte dalë prej tij, kur ra direkt në një pusetë pa kapak.

Burimet e policisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për një aksident tragjik dhe nuk dyshohet për ndonjë veprim kriminal.

Sipas kompanisë Con Edison, pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se kapaku i pusit ishte zhvendosur pak minuta më herët nga një kamion i rëndë me shumë boshte, i cili kishte kaluar në zonë.

Një dëshmitiar i cili ndodhej aty pranë në momentin e ngjarjes, tregoi se gjithçka ndodhi brenda sekondash.

“Pashë një grua që po dilte nga makina dhe sapo hodhi një hap përpara, u zhduk. Ajo bërtiste vazhdimisht: ‘Po vdes’”, tha ai për mediat amerikane.

Sipas raportimeve, Gocaj ra rreth 3 metra poshtë, ndërsa avulli i nxehtë brenda pusetës i shkaktoi arrest kardiak. Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por u deshën rreth 20 minuta për ta nxjerrë nga puseta.

56-vjeçarja u transportua me urgjencë në spitalin New York Presbyterian, ku më pas u konfirmua vdekja e saj.

Familjarët e viktimës janë shprehur të tronditur dhe kërkojnë përgjigje për mënyrën sesi ndodhi kjo tragjedi. Ata e përshkruajnë Donike Gocajn si një nënë dhe gjyshe të dashur, e cila la pas dy fëmijë dhe dy nipër.

Edhe Zyra e Kryebashkiakut të New York-ut reagoi pas ngjarjes, duke shprehur ngushëllime për familjen dhe duke kërkuar një hetim të plotë për rastin.

“Çdo pyetje duhet të marrë përgjigje, në mënyrë që asnjë qytetar tjetër të mos përjetojë një tragjedi të tillë,” thuhet në deklaratën zyrtare.