
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka komentuar publikisht shpërndarjen në rrjet të disa imazheve të manipuluara të saj, të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat janë paraqitur si reale.
Sipas saj, fotot janë përdorur në mënyrë të qëllimshme për ta sulmuar politikisht, ndërsa theksoi se bëhet fjalë për përmbajtje tërësisht të pavërtetë.
Meloni u shpreh me ironi për një prej imazheve, duke thënë se madje “ai që e ka realizuar, në një farë mënyre e ka përmirësuar”, por më pas e theksoi seriozitetin e çështjes.
Ajo paralajmëroi se të ashtuquajturat “deepfake” përbëjnë një rrezik të madh, pasi mund të krijojnë iluzione të rreme dhe të përdoren për manipulim publik dhe dezinformim.
Kryeministrja shtoi se ky fenomen nuk lidhet vetëm me të, por prek këdo, duke kërkuar më shumë kujdes nga qytetarët përpara se të besojnë apo të shpërndajnë përmbajtje të tilla.
“Duhet verifikuar gjithçka përpara se të merret si e vërtetë,” ishte mesazhi i saj, duke nënvizuar se sot objekt mund të jetë ajo, por nesër mund të jetë kushdo tjetër.
