KreuBusull

1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

Çdo vit më 1 maj, në shumë vende të botës, punëtorët dhe organizatat sindikale dalin në protesta dhe aktivitete për të kërkuar kushte më të mira pune dhe më shumë të drejta sociale. Por kjo datë nuk është thjesht simbolike ajo lidhet ngushtë me një histori të gjatë përpjekjesh dhe sakrificash.

Rrënjët e 1 Majit si ditë ndërkombëtare të punëtorëve datojnë në fund të shekullit XIX. Në vitin 1889, gjatë një kongresi të madh të organizuar nga Internacionalja e Dytë në Paris, u propozua që punëtorët në mbarë botën të organizonin protesta të përbashkëta. Synimi kryesor ishte vendosja e një orari pune prej 8 orësh në ditë, një kërkesë që në atë kohë konsiderohej revolucionare.

Kjo kërkesë nuk ishte e re. Ajo kishte nisur të artikulohej më herët në Australia, ku punëtorët kishin ngritur parullën e famshme: “8 orë punë, 8 orë pushim dhe 8 orë gjumë”. Me kalimin e kohës, kjo ide u përhap në Evropë dhe Amerikë, duke u kthyer në një nga kërkesat kryesore të lëvizjes punëtore.

Zgjedhja e datës 1 maj lidhet drejtpërdrejt me një ngjarje dramatike në Chicago, në vitin 1886. Atje, mijëra punëtorë dolën në grevë për të kërkuar orarin 8-orësh. Protestat zgjatën disa ditë dhe arritën kulmin më 4 maj, në atë që njihet si Ngjarja e Haymarket, ku një përplasje e dhunshme mes protestuesve dhe policisë përfundoi me viktima.

Këto zhvillime e kthyen 1 Majin në një simbol global të rezistencës dhe solidaritetit të punëtorëve. Vetëm pak vite më vonë, në 1890, kjo ditë u shënua për herë të parë në mënyrë të organizuar në shumë vende, duke u bërë gradualisht pjesë e kalendarit zyrtar në shtete të ndryshme.

Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara, Dita e Punës festohet në një tjetër periudhë të hënën e parë të shtatorit. Kjo traditë lidhet me zhvillime të tjera historike në Amerikën e Veriut, përfshirë lëvizjet sindikale në Kanada, ku punëtorët kërkonin reduktimin e orarit të punës përmes protestave të njohura si “Lëvizja e nëntë orëve”.

Sot, edhe pse shumë nga kërkesat historike janë realizuar, 1 Maji mbetet një ditë reflektimi dhe mobilizimi për sfidat që vazhdojnë të përballen punëtorët në mbarë botën.