KreuBusull

Lumturia: gënjeshtra që postojmë çdo ditë…

Nga Doreada Mio 

“Qofsh e lumtur gjithmonë” – i shkrova një mikes si koment poshtë një fotoje ku shkruhej “I’m happy”.
“Lumturia është fjalë e madhe…”, më ktheu ajo. Shtanga. Mbase ne e përdorim fjalën “lumturi” me një lehtësi që nuk i përgjigjet peshës që ajo mbart. E shpërndajmë si urim, si hashtag, si titull fotografie.

Për një moment nuk dija si t’i përgjigjesha. Nuk më erdhën në ndihmë as citatet e nxjerra në gjimnaz me zell nga librat dhe filmat, të cilat i shkruaja në fletoret e dikurshme, ato që motra më kërcënonte herë pas here se do t’i griste, e që sot i ka mbuluar pluhuri në një kuti kartoni në depon e shtëpisë së prindërve.

Dhe një pyetje nuk më la rehat: A përpiqemi më shumë të dukemi të lumtur… apo kemi filluar të heqim dorë nga ideja për të qenë të lumtur?

Sepse nëse çdo ditë postojmë versionet më të bukura të vetes – buzëqeshje, suksese, “momente perfekte” – a nuk po ndërtojmë një realitet paralel, ku lumturia është më shumë imazh sesa përjetim? E nëse këto janë gënjeshtrat tona të përditshme… çfarë na ka mbetur për 1 Prillin?

Dhe ndoshta problemi nuk është që gënjejmë të tjerët. Problemi është që, pak nga pak, fillojmë t’i besojmë edhe vetë këto versione të zbukuruara të jetës sonë.

Sepse është më e lehtë të postosh një moment të bukur, sesa të pranosh një ditë të zakonshme.
Më e lehtë të shkruash “jam e lumtur”, sesa të thuash “sot nuk jam mirë”.

Në fund të fundit, askush nuk kërkon perfeksion nga ne… por duket sikur të gjithë presim perfeksion nga vetja. Dhe këtu fillon lodhja. Jo ajo fizike, por ajo e brendshme – kur përpiqesh të mbash një imazh që nuk përputhet gjithmonë me atë që ndjen.

Dhe ndërkohë, sikur të m’i lexonte mendimet nga ekrani i TV-së, vjen një zë: Sipas Kombeve të Bashkuara, në “World Happiness Report” të publikuar çdo vit më 20 mars, Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë (pse paska një të tillë…?), Shqipëria renditet si vendi i dytë më pak i lumtur në Europë, shpesh e lidhur me faktorë si korrupsioni, mungesa e besimit social dhe izolimi në marrëdhënie.

Ironike, apo jo?

Sa më shumë e ekspozojmë lumturinë, aq më shumë statistikat na thonë se ajo mungon. Koncepti i lumturisë është një nga misteret që vazhdon të diskutohet dhe ka ndryshuar formë në kohë…

Mbase mikesha ime ka të drejtë: lumturia është vërtet një gjë e madhe, që nuk ka nevojë për dëshmitarë. E teksa mundohemi e rendim në kërkim të saj, harrojmë këto momentet e vogla.

Për mua, lumturi është të shoh qiellin çdo mëngjes, është një shaka që vetëm unë dhe një njeri i zemrës sime e kupton, është gjerbja e një kafe të shkurtër ekspres me filxhan të nxehtë…

Si përfundim, Paolo Coelho thotë: Sot diku të pret një thesar, një buzëqeshje e lehtë ose një fitore e madhe – jeta ka mrekulli... Prandaj, mos harroni të jeni të lumtur.