
Universi i “Game of Thrones” po zgjerohet edhe më tej, këtë herë me një projekt të ri kinematografik. Warner Bros ka konfirmuar zyrtarisht zhvillimin e një filmi të ri, i cili për momentin mban titullin “Game of Thrones: Aegon’s Conquest”.
Lajmi u bë publik gjatë një prezantimi të studios në Las Vegas, ku u prezantuan planet filmike për vitet në vijim, përfshirë edhe projektet që pritet të mbërrijnë pas vitit 2027.
Filmi do të sjellë në qendër të historisë Aegon I Targaryen, figurën legjendare që pushtoi dhe bashkoi shtatë mbretëritë e Westeros-it, duke krijuar kështu Fronin e Hekurt. Krahas tij do të jenë edhe dy motrat dhe njëkohësisht bashkëshortet e tij, Visenya dhe Rhaenys, të cilat luajtën rol kyç në themelimin e dinastisë Targaryen.
Ngjarjet bazohen në librin “Zjarr dhe Gjak” të George R.R. Martin, që rrëfen historinë e familjes Targaryen, nga ngritja deri te rënia e saj. Skenari i filmit është përshtatur nga Beau Willimon, i njohur për sukseset si “House of Cards” dhe “Andor”.
Ndërkohë, saga e “Game of Thrones” vazhdon të zgjerohet edhe në televizion. “House of the Dragon” pritet të rikthehet me sezonin e tretë, ndërsa është konfirmuar edhe sezoni i dytë i serialit “A Knight of the Seven Kingdoms”.
