KreuBusull

Pashkët ortodokse bashkojnë besimtarët në mbarë vendin: Mesazhe paqeje, shprese dhe dashurie

Pashkët ortodokse bashkojnë besimtarët në mbarë vendin:
Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kanë kremtuar Pashkën, festën më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar, në një atmosferë të mbushur me besim, emocione dhe mesazhe të forta për paqe e dashuri.

Nga Vlora në Shkodër, nga Berati në Gjirokastër e deri në Dhërmi, qindra besimtarë u mblodhën në kishat përkatëse për të përjetuar momentin e shenjtë të ringjalljes së Krishtit. Mesnatën, nën dritën e qirinjve dhe tingujt e lutjeve, u shpall mesazhi “Krishti u ngjall!”, duke sjellë një ndjenjë bashkimi dhe shprese për të gjithë të pranishmit.

Në Vlorë, në kishën “Shën Theodhori”, besimtarët morën pjesë në meshën e drejtuar nga At Kostandin Prifti, i cili theksoi rëndësinë e shmangies së konflikteve dhe përhapjes së mirësisë mes njerëzve. Ndërsa në Dhërmi, kremtimet morën një dimension të veçantë, me organizime festive të shoqëruara nga dronë dhe fishekzjarre.

Edhe në qytete të tjera si Shkodra, Berati dhe Gjirokastra, besimtarët u bashkuan në lutje për më shumë paqe, shëndet dhe mirëqenie. Në katedralen “Shën Dhimitri” në Berat, ceremonia e drejtuar nga Mitropoliti Asti kulmoi me ndezjen e qirinjve nga drita e shenjtë, simbol i besimit që përcillet në çdo familje.

Në Gjirokastër, shërbesa e drejtuar nga Mitropoliti Nathanaili solli të njëjtat mesazhe uniteti dhe shprese, ndërsa në Shkodër, At Nikolla Petani u lut për një botë me më shumë dashuri dhe mirëkuptim.

Pashkët edhe këtë vit nuk ishin vetëm një festë fetare, por një moment reflektimi dhe bashkimi për komunitetin ortodoks, duke përcjellë një mesazh të qartë: drita, shpresa dhe dashuria triumfojnë mbi çdo sfidë.