
Një ndërveprim i pazakontë në rrjetet sociale ka tërhequr vëmendje të madhe online, ku protagonistë janë një i ri nga Kosova dhe agjencia hapësinore NASA. Gjithçka nisi pas publikimit të disa imazheve spektakolare nga misioni Artemis II, që tregonin anën e largët të Hënës me Tokën në sfond.
Megjithatë, jo të gjithë përdoruesit u bindën nga këto pamje. Mes komenteve të shumta, spikati ai i Nexhi Krasniqit, i cili ngriti pikëpyetje për mungesën e yjeve në fotografi, duke aluduar se ato mund të ishin krijuar me inteligjencë artificiale.
Reagimi i NASA-s nuk vonoi. Agjencia sqaroi publikisht se arsyeja pse yjet nuk shfaqen në këto foto lidhet me ndriçimin shumë të fortë të Hënës, e cila reflekton dritë më të madhe krahasuar me yjet, që janë shumë më të zbehtë. Për më tepër, kamerat kanë kufizime në kapjen e kontrasteve ekstreme, duke bërë që objektet më të errëta të mos duken në prani të burimeve të forta drite.

Ndërkohë, vëmendja e astronomëve dhe publikut është përqendruar edhe te një fenomen i rrallë që pritet të ndodhë më 2 gusht: një eklips total diellor ndër më të gjatët e këtij shekulli. Gjatë këtij momenti, Hëna do të mbulojë plotësisht Diellin, duke krijuar errësirë të përkohshme në mes të ditës.
Në zonat ku eklipsi do të jetë i plotë, qielli do të errësohet ndjeshëm, temperaturat mund të bien lehtë dhe për pak minuta mund të bëhen të dukshëm edhe yjet. Ky spektakël natyror do të zgjasë deri në rreth 6 minuta në disa zona të caktuara të globit, duke e bërë një ngjarje të rrallë për t’u përjetuar.
