
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar të martën me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vite burg, për vrasjen e Liridona Ademajt, e ndodhur më 29 nëntor 2023.
Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria ka kërkuar dënimin maksimal me burgim të përjetshëm për të tre të akuzuarit, duke argumentuar se vrasja e 30-vjeçares, e cila ishte bashkëshortja e Murselit, është kryer në mënyrë të planifikuar dhe të organizuar.
Nga ana tjetër, mbrojtja e të pandehurve i ka kundërshtuar akuzat, duke theksuar se nuk ekzistojnë prova të drejtpërdrejta që i lidhin Murselin, Plavën dhe Kokallën me kryerjen e veprave penale.
Ndërkohë, familjarët e Liridona Ademajt kanë kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të gjithë të akuzuarit, duke e cilësuar krimin si të paramenduar dhe duke theksuar dhimbjen e madhe që u ka shkaktuar humbja e saj.
