
Ngjarja e rëndë që i mori jetën një 19-vjeçareje shqiptare në ishullin grek të Kefalonisë vijon të trondisë opinionin publik, ndërsa hetimet kanë marrë një kthesë serioze. Autoritetet greke kanë ashpërsuar akuzat ndaj tre të rinjve të përfshirë, duke e riklasifikuar çështjen në “vrasje me dashje përmes mosveprimit”.
E reja, e identifikuar nga mediat greke si Myrto, u gjet pa ndjenja në një shesh në Argostoli në orët e para të mëngjesit. Ajo u dërgua me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për rreth një orë, nuk arriti të mbijetojë.
Sipas hetimeve paraprake, 19-vjeçarja kishte shkuar fillimisht në një dhomë hoteli me një 23-vjeçar, ndërsa më vonë iu bashkuan edhe dy persona të tjerë, një 26-vjeçar dhe një 22-vjeçar shqiptar. Dyshohet se gjatë natës janë konsumuar substanca narkotike.
Në një moment kritik, e reja ka humbur ndjenjat. Prokuroria dyshon se, në vend që të kërkonin ndihmë mjekësore, tre të rinjtë nuk kanë ndërhyrë, por e kanë transportuar jashtë hotelit dhe e kanë lënë në rrugë.
Pamjet e kamerave të sigurisë janë thelbësore për hetimin. Në to shihet një prej të dyshuarve duke e mbajtur vajzën pa ndjenja në krahë, ndërsa dy të tjerët e shoqërojnë. Ata e lënë në një gjendje të rëndë pranë qendrës dhe largohen pa i ofruar ndihmë.
Sipas autoriteteve, ajo ka qëndruar për një kohë të gjatë në rrugë pa ndihmë, çka dyshohet të ketë ndikuar drejtpërdrejt në humbjen e jetës. Ambulanca u njoftua më vonë dhe e transportoi në gjendje kritike në spital.
Njëri prej të arrestuarve ka pretenduar se ai vetë ka njoftuar urgjencën, por provat e mbledhura deri tani hedhin dyshime mbi këtë version dhe përforcojnë pistën e mosveprimit të qëllimshëm.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu përpjekje të mundshme për të fshehur gjurmët: pas ngjarjes, të rinjtë dyshohet se janë kthyer në hotel dhe kanë pastruar ambientin, ndërsa telefoni i viktimës u zhduk për një kohë dhe më pas u gjet i braktisur.
Sipas të dhënave paraprake mjeko-ligjore, shkaku i vdekjes lidhet me arrest kardiak si pasojë e edemës pulmonare, ndërsa analizat toksikologjike pritet të japin përgjigje më të qarta mbi rolin e mundshëm të substancave.
Tre të dyshuarit, të moshave 26, 23 dhe 22 vjeç, u paraqitën para autoriteteve këtë të premte për t’u njohur me akuzat e reja dhe për të dhënë deklarimet e tyre.
Ndërkohë, familja e 19-vjeçares është zhytur në dhimbje të thellë, duke kërkuar drejtësi. Babai i saj, në një reagim rrëqethës për mediat, u shpreh se vajza e tij ishte e pastër dhe pa asnjë lidhje me drogën, duke hedhur dyshime se mund të jetë mashtruar dhe dëmtuar qëllimisht.
“E lanë në rrugë duke dhënë shpirt. As kafshëve nuk u bëhet kështu,” tha ai mes të tjerash, duke shtuar se ndjehet i shkatërruar nga humbja.
Edhe nëna e saj rrëfeu se kishte rezerva për një nga personat e përfshirë, por nuk kishte dashur të krijonte tension me vajzën.
Në ceremoninë mortore, dhimbja arriti kulmin, teksa babai deklaroi se po përjeton njëkohësisht “dasmën dhe varrimin” e së bijës, pasi e kishte veshur atë si nuse, duke i dhënë lamtumirën më të dhimbshme.
Trupi i së resë është dërguar në Patra për autopsinë e plotë, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur çdo detaj të kësaj ngjarjeje tragjike dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
