KreuBusull

Ndahet nga jeta Craig Venter, pionieri i gjenomikës dhe biologjisë sintetike

Ndahet nga jeta Craig Venter, pionieri i gjenomikës dhe biologjisë
Craig Venter, biologu amerikan që luajti një rol vendimtar në deshifrimin e gjenomit njerëzor dhe në zhvillimin e ADN-së sintetike, ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga Instituti J. Craig Venter (JCVI), organizata kërkimore që ai themeloi.

Sipas njoftimit zyrtar, Venter ndërroi jetë pas një qëndrimi në spital, për shkak të komplikimeve të lidhura me trajtimin e një forme të re kanceri me të cilën ishte diagnostikuar së fundmi.

Ai konsiderohej një nga figurat më ndikim të madh në biologjinë moderne, duke qenë pjesë thelbësore e projektit për hartëzimin e gjenomit njerëzor. Më vonë, ai arriti të krijojë organizmat e parë bakterialë me gjenom tërësisht të sintetizuar në laborator — një arritje që hapi diskutime të forta si në aspektin shkencor, ashtu edhe në atë etik.

Instituti që mban emrin e tij theksoi se puna dhe vizioni i Venterit do të vazhdojnë të udhëheqin kërkimet në gjenetikë dhe biologji sintetike. Presidenti i JCVI, Anders Dale, u shpreh se ai besonte fort në fuqinë e ideve të reja dhe në ndërtimin e asaj që ende nuk ekziston.

I lindur më 14 tetor 1946 në Salt Lake City, SHBA, Venter u dallua gjatë gjithë karrierës për qasjen e tij të guximshme dhe shpesh jashtë kornizave tradicionale, gjë që herë pas here ngjalli edhe polemika në komunitetin shkencor.

Pavarësisht kritikave, kontributet e tij u vlerësuan në shkallë globale. Në vitin 2009, ai u nderua me Medaljen Kombëtare të Shkencës nga presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama — një nga çmimet më prestigjioze në fushën e shkencës në SHBA.

Sipas institutit, puna që ai nisi do të vazhdojë, duke e përshkruar Venterin si një nga mendjet më inovative të kohës së tij në biologji.