
Dyshohet për një rast helmimi në Akademinë e Sigurisë, ku rreth 40 studentë kanë shfaqur shqetësime shëndetësore menjëherë pas konsumimit të vaktit të drekës në mensën e institucionit.
Sipas informacioneve paraprake, disa prej studentëve kanë pasur simptoma të forta dhe janë transportuar drejt spitalit për trajtim mjekësor. Dyshimet e para lidhen me ushqimin e servirur gjatë drekës së sotme.
Shërbimi i ushqimit në Akademinë e Sigurisë ofrohet nga një kompani private kateringu, e kontraktuar për furnizimin e vakteve ditore për studentët.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse kanë nisur hetimet dhe kontrollet përkatëse për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Mostrat e ushqimit pritet t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e dyshuar të helmimit dhe përgjegjësit eventualë.
