Një fëmijë 7-vjeçar ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në fshatin Mengël të Elbasanit, pasi u përplas nga një automjet pranë shkollës ku studionte.
Aksidenti ndodhi rreth orës 08:00 në aksin “Elbasan–Librazhd”, ndërsa i mituri pësoi plagë të rënda që rezultuan fatale. Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor për të kryer veprimet e para dhe për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Sipas burimeve paraprake, automjeti drejtohej nga shtetasi P. B., 61 vjeç, i identifikuar si regjisori dhe producenti Petri Bozo, djali i ish-deputetes socialiste dhe inxhinieres Luljeta Bozo. Pas aksidentit, ai është shoqëruar në komisariat, ku po kryhen procedurat hetimore dhe po merret në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, ekspertët vijojnë punën për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik që ka tronditur banorët e zonës.
