Një nga sfidat më ekstreme në botë tashmë mban edhe gjurmën e një shqiptari. Petrit Kllokoqi ka arritur të ngjisë majën e Everestit, duke vendosur flamurin shqiptar në pikën më të lartë të planetit, 8848 metra mbi nivelin e detit.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga kampi bazë i Everestit për emisionin “Rudina” në Klan, Kllokoqi rrëfeu emocionet dhe rreziqet e një ekspedite 45-ditore që, sipas tij, ndryshon mënyrën se si e sheh jetën.
“Everesti nuk është vetëm një mal, por një përballje me kufijtë e trupit dhe mendjes. Ka momente kur mendon të heqësh dorë, por kur sheh flamurin që mban me vete, gjen forcë për të vazhduar”, u shpreh ai.
Sipërmarrësi dhe kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës tregoi se ekspedita ishte shoqëruar edhe me tragjedi. Sipas tij, tre persona nga grupi humbën jetën gjatë ngjitjes, si pasojë e shembjes së akullnajave në një prej zonave më të rrezikshme të itinerarit.
“Ka çaste që të mbesin gjatë gjithë jetës. Në Everest kalon pranë trupave të ngrirë të alpinistëve që nuk janë kthyer më kurrë. Aty e kupton sa i vogël është njeriu përballë natyrës”, tha ai.
Kllokoqi e cilësoi ngjitjen në Everest si mision personal dhe kombëtar njëkohësisht. Ai tregoi se në momentet më të vështira motivimin më të madh e merrte nga familja dhe nga dëshira për ta çuar flamurin shqiptar në majën më të lartë të botës.
“Shikoja fotografinë e vajzës sime dhe pyesja veten pse po e bëja këtë sakrificë. Por nga ana tjetër ndjeja përgjegjësinë për të mos u dorëzuar”, rrëfeu ai.
Sipas alpinistit kosovar, sfida më e madhe nuk është vetëm lodhja fizike, por përballja psikologjike me mungesën ekstreme të oksigjenit. Ai shpjegoi se mbi 7 mijë metra hyn në të ashtuquajturën “zona e vdekjes”, ku organizmi njerëzor fillon të humbasë gradualisht funksionet normale dhe përdorimi i maskave të oksigjenit bëhet i domosdoshëm.
“Everesti është një risk shumë i madh sepse çdo vit humbasin jetën 10-30 persona gjatë ekspeditës. Fatkeqësisht, prej grupit tonë tre vetë humbën jetën gjatë kësaj ekspedite, pasi akullnajat u shembën dhe është shumë e rrezikshme. Njëri ishte 24-vjeçar dhe nuk ishte i lidhur. Shpresoj të mos kemi më humbje jete sepse është shumë e rëndë, sepse ke për të kaluar edhe nëpër trupa të vdekur, të cilët janë të ngrirë dhe të mbetur aty, sepse nuk depërton helikopteri për t’i tërhequr trupat.”
Përgatitjet për këtë ekspeditë kishin nisur shumë kohë më parë. Kllokoqi tregoi se për një vit kishte hequr dorë nga alkooli dhe për disa muaj edhe nga duhani, ndërsa stërvitjet i kishte zhvilluar në male të Kosovës, Shqipërisë, Europës dhe në Kilimanxharo të Afrikës.
Ngjitja në Everest vjen pas aventurave të tjera të rëndësishme alpine për të, përfshirë edhe majën e Mont Blanc, një nga destinacionet më të njohura të alpinizmit europian. Për Kllokoqin, Everesti mbetet kulmi i një rrugëtimi të gjatë mes sakrificës, disiplinës dhe pasionit për aventurën ekstreme.
