Muaji Maj sjell një përzgjedhje të veçantë titujsh nga “Revista Bordo”, ku letërsia bashkëkohore dhe klasike ndërthuren në një mozaik temash të forta, emocionale dhe reflektuese. Nga rrëfimet poetike që udhëtojnë mes kujtesës dhe imagjinatës, te historitë e thella njerëzore që prekin plagët e shoqërisë dhe të familjes, këta libra ofrojnë një panoramë të gjerë për lexuesin e sotëm.
Në këtë listë gjejmë autorë të njohur ndërkombëtarë dhe shqiptarë që trajtojnë dashurinë, identitetin, historinë, moralin dhe sfidat e kohës moderne. Çdo titull vjen si një ftesë për të ndalur ritmin e përditshmërisë dhe për t’u zhytur në botë të reja, ku fjala dhe ideja marrin peshë të veçantë.
Mëndafshi
Autori: Alessandro Baricco – Çmimi: 900 lekë
“Franca, udhëtimet në det, aroma e manave në Lavildië, trenat me avull, zëri i Helenës. Hervé Zhonkuri vazhdoi të tregonte jetën e tij, siç kurrë në jetë s'e kish bërë”. Ky nuk është një roman. As tregim nuk është. Kjo është një histori. Zë fill me një burrë që shkel botën anembanë dhe përfundon me një liqen që gjendet aty, në një ditë me erë. Burri quhet Hervé Zhonkur. Liqeni s'dihet se si. I botuar në 1996, i përkthyer në më shumë se tridhjetë gjuhë, "Mëndafsh" u bë një bestseller ndërkombëtar, dhe po ashtu film me regji të François Girard.

Ngjitja
Autori: Stefan Hertmans – Çmimi: 1500 lekë
Duke gjurmuar arkivat, kujtimet, dokumentet, fotografitë si dhe historitë individuale, zbulojmë ekstremizmin nacionalist të Verhulstit, personit përgjegjës për internimin e bashkëkombësve në kampet e përqendrimit. Disa dekada më vonë, Adriani, djali i tij, një historian i njohur, nuk arrin të përballet dot me krimet e të atit. Por... sa realist dhe bindës mund të jetë një njeri, kur flitet për babain e tij? Evropa bën përpjekje të ringrihet, Verhulst, edhe pse dënohet si një kriminel lufte, nuk shfaq asnjë lloj pendese për të shkuarën e tij.

Thëngjij përvëlues
Autori: Marc Voltenauer – Çmimi: 1250 lekë
Sokoli mbërrin në Zvicër pas vrasjes së Mirjanit, vëllait të tij, viktimë e një gjakmarrjeje të vjetër. Por edhe ai zhduket. Huberti, miku i tij zviceran vendos të kryejë hetimin në Zvicër dhe në Shqipëri. Inspektori Auer ndjek vrasësit nëpër Europë, ku do të përballet me anën më të errët të së kaluarës së tij. Ngjarje që e kredhin lexuesin në skutat e errëta të psikikës së njeriut, në marrëdhëniet midis brezave, e ndarë mes ndjenjës për të marrë hak dhe asaj për të këputur zinxhirët e kësaj serie gjakmarrjesh, mes së shkuarës dhe së tashmes.

Libri pranë shtratit të gruas së mençur
Autori: Melis Bozkurt – Çmimi: 1300 lekë
Jetojmë në epokën e atij që e gjen veten, që e jeton jetën dhe që e pranon veten...! Tani asgjë nuk vjen më nga fati. Ai që planifikon mirë vepron, ai që kontrollon ndryshon, ndërsa më i zgjuari fiton. Po një grua si e përdor mendjen? Duke njohur fillimisht veten, duke vendosur kufijtë e saj dhe duke ditur se çfarë duhet të refuzojë...! Cilët janë kufijtë e mi? A po më shfrytëzojnë apo po më duan? A ka një mënyrë për të qenë fituese? Cili është sekreti për të qenë e pazëvendësueshme? Përgjigjet gjendet në librin që keni në dorë...!

Në kohën e britmës
Autori: Visar Zhiti – Çmimi: 1500 lekë
Në kërkim të britmës shqiptare. Libri më i ri i shkrimtarit Visar Zhiti prek një plagë, ndër më të hidhurat të bashkëkohësisë shqiptare: krizën morale, krizën e vlerave, duke mos humbur besimin në të nesërmen. Arratisjet shqiptare nëpër botë... ato jehojnë fuqishëm, si një klithje ulëritëse e heshtur, si një fluid ankthi dhe rrëqethje gjatë udhëtimit...! Kjo frymë e bën romanin më të ri të Zhitit të përjetohet si shumëzëshmëri, si shmangie e herëhershme nga boshti fabular, në favor të heterogjenitetit të diskursit tekstor.

Opera ime
Autori: Zhani Ciko - Çmimi: 1500 lekë
Zhani Ciko, nga solist dhe koncert maestro i orkestrës së TOB-it te roli si pedagog, drejtues institucionesh dhe themelues i asambleve të harqeve në Shqipëri, ai ndikoi në formimin e brezave të artistëve dhe ngritjen e standardeve të muzikës shqiptare. Nën drejtimin e tij u realizuan dhjetëra produksione operistike e baletesh shqiptare, si: "Dhoma", "Një jetë në stuhi", "Borana", "Jeta është ëndërr", "Lulja e Kujtimit", "Skënderbeu", baletet: "Migjeniana", "Lumi i vdekur", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Delina" dhe kryevepra botërore.

