KreuBusull

Shijet shqiptare pushtojnë Lozanën, gastronomia kuqezi prezantohet në një mbrëmje prestigjioze në Zvicër

Shijet shqiptare pushtojnë Lozanën, gastronomia kuqezi prezantohet
Në zemër të Lozanës, në ambientet elitare të École hôtelière de Lausanne, u zhvillua “Albanian Culinary Experience”, një mbrëmje dedikuar promovimit të kuzhinës, traditës dhe identitetit kulturor shqiptar përpara një audience ndërkombëtare.

Aktiviteti u organizua nga AlbChef në bashkëpunim me GIZ Albania, me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Kosovës në Zvicër. Në këtë event morën pjesë diplomatë, përfaqësues institucionesh dhe personalitete nga vende të ndryshme, mes tyre ambasadori i Kosovës në Zvicër Mentor Latifi, ambasadori i Maqedonisë së Veriut Rexhep Demiri dhe ambasadori i Shqipërisë në Zvicër Ermal Dredha.

Shijet shqiptare pushtojnë Lozanën, gastronomia kuqezi prezantohet
Në sallë ishin gjithashtu të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Jashtme zvicerane, Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC), drejtues të École hôtelière de Lausanne, sipërmarrës shqiptarë e zviceranë, si edhe dhjetëra të ftuar ndërkombëtarë.

Mbrëmja u hap me fjalë përshëndetëse nga Ismail Ademi i AlbChef, ambasadori Ermal Dredha dhe përfaqësuesja e GIZ Albania, Sofjolla Koteli, të cilët nënvizuan rëndësinë e promovimit të gastronomisë shqiptare si një urë lidhëse mes kulturave.

Shijet shqiptare pushtojnë Lozanën, gastronomia kuqezi prezantohet
Pika kulmore e eventit ishte prezantimi i një menuje autentike shqiptare, e realizuar nga tre emra të njohur të kulinarisë shqiptare: Sokol Prenga, Oltion Veshi dhe Bledar Koçibelli. Gatimet tradicionale të interpretuara në mënyrë moderne morën vlerësime dhe duartrokitje nga të pranishmit.

Shijet shqiptare pushtojnë Lozanën, gastronomia kuqezi prezantohet
Eksperienca gastronomike u plotësua me verëra të përzgjedhura nga kantinat shqiptare Balaj, Caco, Menea dhe Labi, duke sjellë aromat dhe shijet shqiptare në një nga institucionet më prestigjioze të mikpritjes në botë.

Shijet shqiptare pushtojnë Lozanën, gastronomia kuqezi prezantohet
Sipas organizatorëve, kjo nismë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të AlbChef për ta promovuar enogastronominë shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe për të forcuar imazhin pozitiv të shqiptarëve përmes kulturës dhe kulinarisë.