KreuCelebrity

Operacion i madh antidrogë në Turqi, mes 22 të ndaluarve edhe emra të njohur të showbiz-it

Operacion i madh antidrogë në Turqi, mes 22 të ndaluarve edhe
Autoritetet turke kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kundër narkotikëve në Stamboll, duke ndaluar gjithsej 22 persona, mes të cilëve ndodhen edhe figura të njohura të botës së televizionit, muzikës dhe rrjeteve sociale.

Aksioni, i zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së enjtes, u realizua me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit. Sipas mediave turke, policia kreu bastisje të koordinuara në disa lagje të qytetit në kuadër të një hetimi për trafikim dhe përdorim të dyshuar të lëndëve narkotike.

Mes personave të shoqëruar nga autoritetet përmenden disa emra të njohur të skenës turke, si aktorja Beren Saat dhe këngëtari Kenan Doğulu, së bashku me personalitete të tjera të njohura për publikun, përfshirë Kerimcan Durmaz, Ayşe Hatun Önal, Ozan Doğulu, Berdan Mardini, Enis Arıkan dhe influencuesen Selin Ciğerci.

Në listën e personave të përfshirë në hetim figurojnë gjithashtu producentë dhe artistë të tjerë, si Tolga Çam, Ferhan Kaya, Murat Saygı, Mehmet Cem Karcı dhe Yaşar İpek.

Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë publike akuzat konkrete që rëndojnë mbi secilin prej të ndaluarve, ndërsa procedurat hetimore dhe marrjet në pyetje po vazhdojnë në ambientet e policisë së Stambollit.

Prokuroria ka njoftuar se hetimet janë ende në zhvillim dhe se ky operacion bën pjesë në një aksion më të gjerë kundër grupeve të dyshuara të përfshira në aktivitetin e paligjshëm të narkotikëve.