KreuCelebrity

Shakira: “Waka Waka” më ndryshoi jetën dhe më solli gjërat më të bukura

Shakira: “Waka Waka” më ndryshoi jetën dhe më solli
Shakira ka folur për ndikimin e madh që futbolli ka pasur në jetën e saj personale dhe profesionale, duke pranuar se hiti i famshëm “Waka Waka (This Time for Africa)” shënoi një pikë kthese të rëndësishme në rrugëtimin e saj.

Në një intervistë të fundit, ylli kolumbian tregoi se lidhja e saj me Botërorin nisi që në vitin 2006, kur interpretoi “Hips Don’t Lie” me Wyclef Jean në kuadër të Kupës së Botës. Megjithatë, ishte kënga “Waka Waka”, himni zyrtar i Botërorit 2010, ajo që ndryshoi gjithçka.

“Kam krijuar një marrëdhënie shumë të veçantë me futbollin dhe kjo është diçka që vazhdon edhe sot,” u shpreh artistja.

Shakira kujtoi se gjatë Kupës së Botës në Afrikën e Jugut njohu Gerard Piqué-n, me të cilin më vonë krijoi familje. Ish-futbollisti spanjoll, babai i dy djemve të saj, Milan dhe Sasha, ishte pjesë e kombëtares së Spanjës në atë turne.

Me humor, këngëtarja tregoi se djemtë e saj i quan shpesh “fëmijët Waka”, pasi beson se gjithçka që ndodhi në jetën e saj pas publikimit të këngës lidhet në një farë mënyre me atë sukses.

“Falë asaj kënge, jeta ime mori një drejtim krejt tjetër. Djemtë e mi janë dhurata më e çmuar që kam marrë ndonjëherë”, tha ajo.

Artistja kujtoi gjithashtu se ishte pjesë edhe e Botërorit 2014 me këngën “La La La (Brazil 2014)”, ndërsa në atë periudhë priste lindjen e djalit të saj më të vogël, Sasha.

Sipas saj, fansat e kuptuan shumë shpejt se ishte shtatzënë, edhe pse ajo ndodhej në muajt e parë të pritjes së ëmbël.

Ndërkohë, Shakira do të rikthehet sërish në skenën e Kupës së Botës. Ajo është përzgjedhur si një nga artistet kryesore të spektaklit të parë të pushimit mes pjesëve në finalen e Botërorit 2026, që do të mbahet më 18 korrik në stadiumin MetLife në New Jersey.

Në fund, kur u pyet se përse vazhdon të ketë një lidhje kaq të fortë me Botërorin, përgjigjja e saj ishte e thjeshtë:

“Fati.”