
Pas vitesh spekulimesh, modelja dhe aktorja britanike Cara Delevingne ka vendosur të flasë publikisht për marrëdhënien e saj me Amber Heard, duke konfirmuar se mes tyre ka ekzistuar një romancë.
Gjatë një interviste në “Louis Theroux Podcast”, 33-vjeçarja tregoi se lidhja e tyre u zhvillua në një periudhë të ndërlikuar për Heard, e cila në atë kohë po përballej me procesin e divorcit nga Johnny Depp.
“Për një kohë të gjatë kemi qenë shumë të afërta. Më pas marrëdhënia jonë mori një drejtim tjetër, pikërisht në periudhën kur ajo po kalonte divorcin,” u shpreh Delevingne.
Deklarata e saj ka rikthyer në vëmendje zërat që qarkullonin prej vitesh për raportin mes dy artisteve. Në të njëjtën kohë janë përmendur sërish edhe thashethemet e vitit 2020, të cilat aludonin për një trekëndësh me Elon Musk. Megjithatë, miliarderi i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime, duke theksuar se nuk ka qenë kurrë në një lidhje romantike me Delevingne.
Cara Delevingne dhe Amber Heard njihen prej vitit 2014 dhe janë fotografuar shpesh së bashku në publik, veçanërisht gjatë vitit 2016, duke nxitur spekulime të shumta për natyrën e marrëdhënies së tyre.
Modelja ka folur edhe më herët për rrugëtimin e saj personal dhe mënyrën se si eksperiencat në jetën private e kanë ndihmuar të kuptojë më mirë identitetin dhe seksualitetin e saj.
Nga ana tjetër, Amber Heard u martua me Johnny Depp në vitin 2015. Martesa përfundoi me divorc në vitin 2017, ndërsa përplasjet ligjore mes ish-çiftit vazhduan për vite dhe u kthyen në një nga çështjet më të ndjekura në botën e showbiz-it.
