
Vila e familjes së tenorit të njohur italian Andrea Bocelli, në Forte dei Marmi të Italisë, ka rënë pre e një grabitjeje gjatë natës, ndërsa ishte marrë me qira nga një familje amerikane.
Sipas mediave italiane, autorët kanë përfituar nga mungesa e pushuesve për të hyrë në banesë, duke marrë me vete bizhuteri, ora luksoze, para në dorë dhe çanta të markave prestigjioze. Vlera e sendeve të vjedhura llogaritet të jetë rreth 500 mijë euro.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se dera e vilës nuk ishte mbyllur siç duhej dhe alarmi i sigurisë nuk ishte vënë në funksion. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët.
