Një grup hajdutësh ka goditur një prej pronave të familjes së tenorit të famshëm italian Andrea Bocelli në Forte dei Marmi, duke përfituar nga fakti që banorët e përkohshëm nuk ndodheshin në vilë.
Ngjarja ndodhi gjatë orëve të mbrëmjes, kur familja amerikane që kishte marrë pronën me qira kishte dalë jashtë. Sipas të dhënave të para të hetimit, autorët kanë hyrë në banesë pa u vënë re dhe kanë qëndruar mjaftueshëm për të kontrolluar çdo ambient, duke marrë sende me vlerë të lartë.
Mes objekteve të vjedhura raportohet se ka pasur bizhuteri, ora të shtrenjta, para në dorë dhe aksesorë të markave luksoze. Edhe pse inventarizimi i plotë nuk ka përfunduar, dëmi ekonomik vlerësohet të jetë shumë i madh dhe mund të shkojë deri në 500 mijë euro.
Hetuesit dyshojnë se grabitësit kanë gjetur terren të favorshëm, pasi hyrja e vilës nuk ishte siguruar plotësisht dhe sistemi i alarmit nuk ishte aktiv në momentin e vjedhjes.
Forcat e rendit kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Po mblidhen prova dhe po shqyrtohen pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, me shpresën për të identifikuar autorët dhe mënyrën se si ata kanë vepruar.
Familja Bocelli zotëron disa rezidenca në zonën e Versilias, të cilat gjatë verës u jepen me qira turistëve. Pas incidentit ka reaguar edhe kryebashkiaku i Forte dei Marmi, Bruno Murzi, i cili theksoi se masat e sigurisë në qytet janë forcuar, por u bëri thirrje edhe pronarëve të banesave të përdorin sistemet e alarmit dhe mjetet e tjera mbrojtëse për të ulur rrezikun e vjedhjeve.
