KreuCelebrity

10 vite pa Bud Spencer, vajza e tij prek me mesazhin: “Do të të duam përgjithmonë”

10 vite pa Bud Spencer, vajza e tij prek me mesazhin: “Do të të
Kanë kaluar plot 10 vite nga ndarja nga jeta e legjendës së kinemasë italiane, Bud Spencer, ndërsa në këtë përvjetor të dhimbshëm vajza e tij, Cristiana Pedersoli, i ka kushtuar një mesazh tepër prekës në rrjetet sociale.

Përmes një postimi në Instagram, ajo kujtoi të atin me dashuri dhe mirënjohje, duke theksuar se kujtimi i tij vazhdon të jetojë tek familja dhe tek mijëra njerëz që e kanë dashur.

“I dashur babi, kanë kaluar dhjetë vjet që kur na le, por dashuria jote, mirësia jote dhe buzëqeshja jote vazhdojnë të jetojnë te secili prej nesh. Sot, së bashku me mijëra njerëz, nuk të kujtojmë me trishtim, por me krenari të madhe, mirënjohje dhe gëzim, ashtu siç do të kishe dashur ti, sepse patëm privilegjin të të quanim baba. Ishe një njeri i jashtëzakonshëm, një gjigant në zemër edhe më shumë sesa në ekran. Do të të duam përgjithmonë dhe na mbro nga lart.”

Postimi u shoqërua me një skenë ikonike të aktorit, ndërsa mori mijëra pëlqime dhe komente nga fansa të shumtë, të cilët kujtuan me nostalgji figurën e Bud Spencer.

Aktori italian, emri i vërtetë i të cilit ishte Carlo Pedersoli, u nda nga jeta më 27 qershor 2016 në moshën 86-vjeçare. Ai mbetet një nga ikonat më të dashura të kinemasë, veçanërisht për filmat e realizuar në partneritet me Terence Hill.