
Supermodelja Bella Hadid ka emocionuar ndjekësit pasi publikoi në Instagram disa foto ku shfaqet duke qarë dhe duke folur hapur për gjendjen e saj shëndetësore.
29-vjeçarja tregoi se po përjeton një nga periudhat më të vështira të betejës së saj me sëmundjen Lyme, një problem kronik me të cilin jeton prej shumë vitesh. Ajo rrëfeu se, pavarësisht pushimit të gjatë, trajtimeve dhe përpjekjeve për t’u ndier më mirë, simptomat vazhdojnë ta rëndojnë.
Në një selfie të përlotur, Hadid shkroi se kishte fjetur plot 11 orë, bënte dremitje çdo ditë dhe kishte provuar çdo metodë që i ishte rekomanduar, por pa përmirësim. Me një dozë humori të hidhur, ajo tha se ndihej sikur “i kishte shtuar vetes edhe 12 diagnoza të tjera”.
Modelja përshkroi edhe vështirësitë e aktiviteteve më të zakonshme. Sipas saj, nuk kishte fuqi as për të bërë një shëtitje, ndërsa vetëm ecja deri në kuzhinë i shkaktonte marramendje dhe mungesë fryme. Megjithatë, ajo e konsideroi një fitore të vogël faktin që arriti të bënte dush pa humbur ndjenjat, duke bërë shaka se për këtë meritonte të paktën “një biskotë”.
Në një postim tjetër, ku publikoi një fotografi të një dreri në natyrë, Bella kërkoi falje nëse pamjet e saj kishin shqetësuar ndokënd. Ajo theksoi se kjo është përditshmëria e saj prej rreth 15 vitesh, me periudha të mira dhe të këqija që alternohen vazhdimisht.
Hadid shtoi se pjesa më e vështirë është fakti që mendja e saj është plot plane, dëshirë dhe objektiva, ndërsa trupi shpesh nuk i përgjigjet. Në fund të mesazhit, ajo falënderoi të gjithë për mbështetjen dhe dashurinë e treguar, duke shprehur shpresën se dita e nesërme do të jetë më e lehtë dhe se, me ndihmën e Zotit, do të ndihet më mirë.
