Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, ishte i ftuar në emisionin “Kampionët e Botës” në Tv Klan, ku ndau disa momente dhe detaje interesante nga karriera e tij.
Gjatë një rubrike me pyetje të shpejta, Ramadani u pyet se cili ka qenë kundërshtari që e ka markuar më lehtë, pa pasur nevojë të lodhej shumë në fushë. Përgjigjja e tij ishte e shkurtër dhe e drejtpërdrejtë: “Modriç”.
Në vijim, ai u pyet edhe se cili futbollist i Kombëtares shqiptare tërheq më shumë vëmendjen e vajzave. Fillimisht hezitoi të përmendte emra, por pasi u vu në humor me një “kërcënim” simbolik për karton të kuq, Ramadani përmendi Kristjan Asllanin dhe Nedim Bajramin, duke shtuar me shaka se kjo ndodh sepse ata janë ende beqarë.
Marina Vjollca: Cili është kundërshtari që ke markuar pa vrapuar fare?
Ylber Ramadani: Pa vrapuar fare? Modriç.
Marina Vjollca: Pas kujt vrapojnë më shumë gocat? Hë, se asnjërit nuk i ngel hatri për këtë përgjigje që do japësh.
Ylber Ramadani: Nuk e di, se vetë…
Marina Vjollca: Do marrësh kartonin e kuq. Po nuk e dhe përgjigjen, do marrësh kartonin e kuq.
Ylber Ramadani: Po them Asllani, Bajrami, se s’kanë… s’janë… as nuk janë të martuar
Marina Vjollca: Tek cili klub do niseshe me vrap pa e menduar dy herë?
Ylber Ramadani: Te Premier League, Manchester United.
Mesfushori u ndal te shoku i tij i ngushtë, Medon Berisha, për të cilin foli me vlerësim të veçantë. Ai tregoi se e ka njohur Berishën kur ishte ende shumë i ri dhe se që atëherë kanë krijuar një marrëdhënie të ngushtë.
Marina Vjollca: Dhe e fundit, e di që e ke shok të ngushtë, sa keq të vjen që dëmtimet po e pengojnë Medon Berishën të vrapojë drejt majave, duke e ditur që ke një dobësi shumë të madhe për të.
Ylber Ramadani: Unë Medonin, kur kam shkuar, e kam gjetur një djalosh shumë të ri dhe ishte ende i pazhvilluar mirë. Shkova aty e më tha: “Unë jam shqiptar”, edhe unë i thashë: “Edhe unë jam shqiptar, kënaqësi që jemi bashkë këtu”. Medoni është një djalë fantastik. Më vjen keq se sivjet ka bërë një sezon fantastik, një gjysmësezoni fantastik. Është një djalë që është shumë respektues dhe më dëgjon këshillat, se unë jam pak më i vjetër dhe e ndihmoj shumë në fushë. Mendoj se kur të kthehet, do të shkojë në një super ekip.
